• петок, 13 март 2026

Mickoski: Problemi me gjuhët për provimin e jurisprudencës është problem i trashëguar – BDI e solli ligjin për gjuhët dhe i gënjeu shqiptarët

Mickoski: Problemi me gjuhët për provimin e jurisprudencës është problem i trashëguar – BDI e solli ligjin për gjuhët dhe i gënjeu shqiptarët

Shkup, 13 mars 2026 (MIA)- Sipas Kushtetutës, komunikimi në administratën shtetërore, mendoj se ishte neni 5, amendamenti 7, thotë qartë se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik, por gjuhë e dytë zyrtare në këtë rast është gjuha shqipe. Të mos e përdor atë 20%, sepse është e qartë se bëhet fjalë për gjuhën shqipe. Më poshtë në të njëjtin nen thuhet se komunikimi i shqiptarëve me administratën shtetërore rregullohet me ligj.

“Dhe tani vijmë te ajo pjesë, te ligji, nuk thotë me cilin ligj, por ja, me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Unë bisedova me studentët dhe ata thonë se në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duhet që brenda një viti të harmonizohen të gjitha ligjet. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë automatikisht konsiderohet se ligjet janë harmonizuar. Tani vijmë te dilema. Ligji për gjuhët është ligj i përgjithshëm, ose në drejtësi lex generalis. Ligji për dhënien e provimit të jurisprudencës është ligj special ose lex specialis. Nuk mundet që në mënyrë automatike me lex generalis, të mbisinkronizoni lex specialis”, tha kryeministri, Hristijan Mickoski gjatë intervistës për ORA24 TV, i pyetur për kërkesat që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.

Problemi i dytë është se zotërinjtë që e miratuan Ligjin për gjuhët i mashtruan shqiptarët dhe këta të rinj që tani po protestojnë. Pse i mashtruan? Sepse në mënyrë të qartë në mendimin e Komisionit të Venecias thuhet se duhet të braktiset bilinguizmi në sistemin gjyqësor, shtoi Mickoski.

Ai theksoi se Qeveria më parë ka treguar se nuk ka problem me përdorimin e gjuhëve dhe se në pjesën e kujdesit social për fëmijët është mundësuar që edukatoret të japin provimin në gjuhën e tyre amtare shqipe.

Ata që do ta japin provimin, nesër do të jenë gjyqtarë dhe prokurorë. Nëse Komisioni i Venecias të thotë të braktisësh konceptin e bilinguizmit, për shkak se mund të çojë në interpretime të dyfishta të proceseve të caktuara gjyqësore, atëherë për çfarë sundimi të ligjit po flasim?

Prandaj ne kemi formuar një grup pune në kuadër të Qeverisë që po punon dhe analizon nëse është e mundur ligjërisht dhe kushtetutshmërisht që dhënia e provimit të jurisprudencës të ndahet nga gjykimi brenda sistemit gjyqësor të shtetit.

“Nëse arrijmë të gjejmë një metodologji dhe mënyrë që të sigurojë barazi për të gjithë ata që e japin provimin e jurisprudencës, dhe njëkohësisht të mos kemi interpretime të ndryshme të vendimeve gjyqësore për shkak të bilinguizmit, pra nëse pranojmë që maqedonishtja është gjuha që do të mbizotërojë në sistemin gjyqësor, atëherë mendoj se shumë shpejt do të gjejmë një zgjidhje. Por përsëri do ta them, ky është një problem i trashëguar nga të njëjtët që kanë qenë në pushtet për 20 vite dhe nuk arritën të gjejnë mënyrë se si ta zgjidhin”, përfundoi kryeministri Mickoski.

Foto: Qeveria

Остани поврзан