Mickoski: Pres që rikonstruimi i Sallës Universale të përfundojë në afatin e paraparë
- – Rikonstruimi dhe modernizimi i një prej simboleve më të rëndësishme kulturore në qytetin e Shkupit – Sallës Universale, është projekt me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse me imazhin e saj të ri qyteti do të ketë institucion kulturor bashkëkohor, funksional dhe përfaqësues, hapësirë për koncerte të nivelit të lartë, shfaqje teatrore, festivale, ngjarje të mëdha kulturore.
Shkup, 27 prill 2026 (MIA) – Rikonstruimi dhe modernizimi i një prej simboleve më të rëndësishme kulturore në qytetin e Shkupit – Sallës Universale, është projekt me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse me imazhin e saj të ri qyteti do të ketë institucion kulturor bashkëkohor, funksional dhe përfaqësues, hapësirë për koncerte të nivelit të lartë, shfaqje teatrore, festivale, ngjarje të mëdha kulturore.
Projekti, rikonstruimi i të cilit është planifikuar të përfundojë deri në dhjetor të vitit 2027, është me rëndësi të madhe edhe në kontekst të përgatitjeve të Shkupit për kryeqytet evropian të kulturës 2028, ishte theksuar pas mbikëqyrjes së sotme të aktiviteteve ndërtimore në objekt nga ana e kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov dhe kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Kryeministri Mickoski deklaroi se pret që në kuadër të afatit dhe të buxhetit të paraparë të përfundojë ky objekt.
"Pres që ky objekt të përfundojë brenda afatit, pasi projekti ‘Kryeqyteti Evropian i Kulturës’, pas gjithë atyre vonesave në të kaluarën, më në fund po merr njëfarë dinamike dhe ne duhet që deri në vitin 2028 t’i mbyllim plotësisht të gjitha objektet. Kështu që një nga ato objekte është edhe ky që ndodhet pas nesh.Jam falënderues në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Qytetit të Shkupit që ky objekt, pas gjithë atyre peripecive nga e kaluara, do të marrë njëfarë fizionomie. Sipas asaj që pashë dhe që prezantoi projektuesi, do të jetë vërtet një vepër e bukur. Pra, të mos flasim para kohe, ta përfundojmë dhe pastaj të gjithë së bashku të gëzohemi dhe të shijojmë ngjarjet kulturore që do të organizohen këtu", tha kryeministri.

Ministri Lutkov informoi se procedura për zgjedhjen e kontraktorit ka përfunduar me sukses, me çka janë krijuar të gjitha kushtet për fillim të punëve ndërtimore.
"Projekti do të zbatohet në bazë të ‘çelësave në dorë’, ndërsa përfundimi i rindërtimit është planifikuar deri në dhjetor të vitit 2027. Ky projekt është gjithashtu me rëndësi të jashtëzakonshme në kontekstin e përgatitjeve të Shkupit për Kryeqytetin Evropian të Kulturës 2028. Me pamjen e re të Sallës Universale, qyteti do të marrë institucion kulturor modern, funksional dhe përfaqësues, hapësirë për koncerte të nivelit të lartë, shfaqje teatrale, festivale dhe ngjarje të mëdha kulturore. Ky është një investim në të ardhmen e kulturës në Maqedoninë e Veriut, në artistët tanë, në publikun tonë dhe në gjeneratat që do të vijnë", tha Lutkov.
Kryetari i Shkupit, Gjorgjievski shprehu kënaqësi nga ngjarja dhe e falënderoi kryetarin e Qeverisë, Qeverinë, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, si dhe ministrin, për angazhimin e tyre dhe, siç tha, pas një kohe të gjatë e kthejnë shpirtin e Shkupit. fc/
Foto: MIA
