Mickoski: Pres që prokurori i ri publik të hulumtojë si Katica Janeva i dorëzoi lëndët nga burgu, si u gjykuan njerëz për terrorizëm dhe si u ndanë bonuse në PSP
- Në seancën e sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve, kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski foli për pritshmëritë nga puna e prokurorit të ri Publik, me ç'rast theksoi se pritshmëritë nga prokurori i ri publik janë të mëdha.
Shkup, 26 mars 2026 (MIA) - Në seancën e sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve, kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski foli për pritshmëritë nga puna e prokurorit të ri Publik, me ç'rast theksoi se pritshmëritë nga prokurori i ri publik janë të mëdha.
"Pritshmëritë nga prokurori i ri publik janë të mëdha, në kuptimin që kemi ndjesinë, e deri diku edhe informacione, se një pjesë e madhe e lëndëve dhe parashtresave të cilat një pjesë e institucioneve si rezultat i revizionit të brendshëm, i kanë dorëzuar deri te zyra e Prokurorit Publik, qëndrojnë ose në sirtar ose në fund të prioriteteve. Shpeshherë në seancë të Qeverisë kemi pikë në të cilën analizojmë punën e institucioneve në bazë të raporteve të cilat ESHR i dorëzon deri te Qeveria dhe deri më tani unë personalisht, mbase qindra herë, kam pyetur nëse këtë e ka konstatuar Enti shtetëror i revizionit, a është kjo diku e procesuar? Përgjigja pa përjashtim është "po, është procesuar deri te Prokurori Publik". Pres që të gjitha këto lëndë të nxirren dhe të punohen dhe të shihet nëse aty ka dyshimе të bazuara për krim të kryer nga njerëzit që i kanë udhëhequr ato institucione ose jo", theksoi kryeministri Mickoski.
Ai shtoi se pret nga prokurori i ri publik të bëjë analizë të detajuar dhe të veprohet pas këtyre lëndëve tashmë të dorëzuara.
Personalisht pres të paktën edhe dy gjëra që janë shumë të rëndësishme në kuptimin historik të fjalës për të ardhmen e këtij shteti. Nëse nuk e zbulojmë të vërtetën për ato dy gjëra, atëherë gjatë gjithë kohës do të jetojmë në iluzion. Gjëja e parë është se si në mënyrë magjike atëherë e burgosura Katica Janeva, lëndët që ishin pjesë e PSP-së i dorëzoi përsëri në praktikën gjyqësore. Kësaj pyetjeje duhet të gjejmë përgjigje. Kjo është e rëndësishme për të ardhmen e këtij shteti dhe për sistemin gjyqësor e sundimin e së drejtës. Dhe e dyta, gjithashtu sipas meje shumë e rëndësishme, nëse duam të ardhme të vërtetë – e këtë do ta ndajmë në dy nëngrupe: si u gjykua një grup njerëzish për terrorizëm dhe mbi bazën e cilave prova, si dhe si u nxorën me detyrim deklaratat nga të ashtuquajturit dëshmitarë të mbrojtur; dhe nëngrupi i dytë i pyetjeve, për çfarë rritjesh të të ardhurave dhe bonusesh bëhet fjalë për të ashtuquajturit prokurorë specialë publikë dhe pse kanë frikë që kjo lëndë të hyjë në fazën e hetimit dhe në gjykata, tha Mickoski.
Ai porositi se nëse kjo nuk bëhet, atëherë do të kemi një situatë ku një grup njerëzish në shtet do të jetë i privilegjuar, ndërsa pjesa më e madhe e qytetarëve tanë do të jenë ata që do të jetojnë në zhgënjim se drejtësia nuk sundon për të gjithë.
Publikisht i dërgoj apel prokurorit publik, pa marrë parasysh se për kë ekziston dyshim i bazuar se ka bërë krim, përfshirë edhe për qeverinë aktuale, të hapë hetim dhe ta çojë deri në fund, nuk guxon të ketë të privilegjuar, tha kryeministri Mickoski dhe shtoi:
"Nuk ekziston thembër e Akilit më e madhe për një komb dhe shtet, sesa njerëzit që marrin vendime në emër të atij kombi dhe shteti, e që janë të korruptuar. Sepse ata nuk janë më vetvetja dhe frikësohem se vendimet që marrin mund të jenë në dëm të të gjithë kombit dhe shtetit. Prandaj është më mirë të parandalohet, sesa pastaj të shërohet", tha Mickoski. bsh/
Foto: MIA