• сабота, 14 март 2026

Mickoski në shënimin e përvjetorit të deportimit të hebrenjve të Maqedonisë: Përkujtimi është detyra jonë morale, dhe lufta kundër urrejtjes është përgjegjësia jonë historike

Mickoski në shënimin e përvjetorit të deportimit të hebrenjve të Maqedonisë: Përkujtimi është detyra jonë morale, dhe lufta kundër urrejtjes është përgjegjësia jonë historike

Shkup, 11 mars 2026 (MIA) - Përkujtimi është detyra jonë morale, ndërsa lufta kundër urrejtjes është përgjegjësia jonë historike, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij me rastin e 83-vjetorit të deportimit të 7.144 hebrenjve të Maqedonisë në kampin Treblinka.

Ai theksoi se sot qëndrojmë në heshtje dhe me respekt të thellë para njërës prej faqeve më të dhimbshme të historisë sonë dhe kujtojmë deportimin e hebrenjve të Maqedonisë, një tragjedi që ka shënjuar përgjithmonë kujtesën tonë kolektive.

"Në mars të vitit 1943, më shumë se shtatë mijë bashkëqytetarë tanë - hebrenj nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi - u mblodhën me forcë, u morën nga shtëpitë e tyre, nga familjet e tyre, nga jeta e tyre. Ata u deportuan në kampin e vdekjes Treblinka, ku jeta e tyre u ndërpre mizorisht. Pas këtij numri qëndrojnë emra, familje, ëndrra, talentë, fate. Ka njerëz që ishin pjesë e strukturës së qyteteve tona, tregtisë, kulturës, shpirtit të Maqedonisë. Me zhdukjen e tyre, vendi ynë humbi një pjesë të shpirtit të tij.

Kryeministri theksoi se sot kujtojmë jo vetëm një tragjedi, por edhe detyrimin për të parandaluar urrejtjen, antisemitizmin, racizmin dhe intolerancën në shoqërinë tonë.

Ai theksoi se komuniteti hebraik ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij vendi dhe kontributi i tij në kulturë, arsim, ekonomi dhe jetën shoqërore është pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët.

"Sot, kur i kujtojmë viktimat e Holokaustit, dërgojmë një mesazh të qartë: kujtimi është detyra jonë morale, dhe lufta kundër urrejtjes është përgjegjësia jonë historike. Qoftë i përjetshëm kujtimi për hebrenjtë e dëbuar të Maqedonisë. Tragjedia e tyre qoftë një paralajmërim për të gjitha brezat që do të vijnë. Lavdi e përjetshme dhe kujtim i përjetshëm për ta", tha Mickoski.

Gjatë shënimit mbajtën fjalim edhe kryetari i Bashkësisë Hebraike në Maqedoni, Pepo Levi dhe ambasadorja gjermane Petra Dreksler.

Kryeministri, përfaqësuesit qeveritar dhe të pranishmit tjerë vendosën lule para memorialit në ish Monopolin në Shkup. sa/

Foto: MIA

Остани поврзан