• сабота, 16 мај 2026

Mickoski nga Vjena: Përcaktimi i Qeverisë është i qartë, ndërtojmë ekonomi e cila krijon, jo vetëm që shpenzon

Mickoski nga Vjena: Përcaktimi i Qeverisë është i qartë, ndërtojmë ekonomi e cila krijon, jo vetëm që shpenzon

Shkup, 22 prill 2026 (MIA) - Ka momente kur Evropa duhet të zgjedhë: a do të reagojë apo do të udhëheqë. Sot jemi pikërisht në një moment të tillë. Jetojmë në një kohë rishqyrtimi.Në rrethana të tilla, fjalët kanë më pak peshë se vendimet, ndërsa deklaratat vlejnë aq sa jemi të gatshëm t’i zbatojmë. Prandaj na duhet një Evropë e cila nuk pret, por vepron, e cila nuk heziton, por vendos, që nuk i frikësohet konkurrencës, por e krijon atë, porositi sot nga Vjena kryeministri Hristijan Mickoski. 

Pas takimit me kancelarin austriak Kristian Shtoker, Mickoski theksoi në konferencë të përbashkët për media se Evropa nuk do të jetë e fortë nëse pjesët e saj mbeten të dobëta, se nuk do të jetë e qëndrueshme nëse periferitë e saj mbeten të pasigurta dhe se nuk do të jetë konkurruese nëse ekonomitë e saj nuk rriten së bashku.

"Kjo është edhe një çështje e përgjegjësisë së përbashkët. Ne jemi të gatshëm ta marrim këtë përgjegjësi. Jemi të gatshëm të punojmë. Jemi të gatshëm të marrim vendime. Jemi të gatshëm të japim rezultate. Dhe për këtë arsye besojmë se me një partneritet të bazuar në besim dhe projekte konkrete, do të ndërtojmë diçka që do të zgjasë më shumë se një mandat, më shumë se një krizë, më shumë se një gjeneratë.  Evropa nuk duhet të jetë vetëm një ide. Evropa duhet të jetë rezultat", theksoi kryeministri Mickoski.

Sipas tij, Austria është një nga partnerët e rrallë me të cilët ky vizion mund të shndërrohet në realitet jo vetëm për shkak të pranisë ekonomike, por edhe për shkak tëkonzistencës, seriozitetit dhe njohjes së rajonit.

"Nuk duam vetëm ta ruajmë bashkëpunimin. Duam ta ngremë në një nivel më të lartë. Koha e re kërkon një dinamikë të re. Më shumë investime në prodhim. Më shumë investime në energjetikë. Më shumë partneritete në transformimin digjital. Më shumë infrastrukturë që lidh, e jo që ndan. Tranzicioni energjetik është një test për të gjithë ne, test i kapacitetit, test i vizionit, test i lidershipit. Për ne, ai është një mundësi. Një mundësi për të krijuar një ekonomi e cila do të jetë më e fortë se krizat dhe e gatshme për të ardhmen. Por kjo mundësi mund të realizohet vetëm me partnerë që mendojnë afatgjatë. Prandaj na duhet një Evropë e cila nuk pret, por vepron", theksoi Mickoski. 

Prandaj, diskutimi për ekonominë, tregtinë dhe investimet është një temë teknike, vlerësoi Mickoski, por edhe një debat i thellë për atë se çfarë Evrope duam të ndërtojmë - a do të jetë një kontinent që përshtatet me krizat apo një kontinent që e formëson botën dhe rregullat e saj.

"Ne nuk kërkojmë vetëm investitorë të huaj, kërkojmë partneritet, besim, vizion të përbashkët se ku duam të jemi pas dhjetë vitesh. Përcaktimi ynë është i qartë - të ndërtojmë ekonomi që krijon, e jo vetëm që shpenzon, të ndërtojmë një shtet që ofron siguri, e jo pasiguri, të ndërtojmë një sistem ku puna shpërblehet dhe besimi ka vlerë. Këto nuk janë slogane të përditshme. Ky është një drejtim i qartë. Investimet i shohim si motor të ndryshimevel, ndryshime që sjellin industri të re, dituri të reja, cilësi të re, standard të ri", theksoi Mickoski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut është për vizitë në Austri me një delegacion qeveritar që përfshin zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministren e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozinovska dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha. fc/

Foto: Printskrin

 

 

Остани поврзан