Mickoski: Ligji për arsimin e lartë nuk është çështje politike, por shtetërore nga e cila varet e ardhmja e vendit
- Propozim-ligji për arsimin e lartë nuk është hartuar pas dyerve të mbyllura, por përmes debateve me universitetet, ai është një zgjidhje e përbashkët me komunitetin akademik dhe besoj se do të japë rezultate. Ky nuk është ligj i Qeverisë, kjo nuk është çështje politike, por një çështje shtetërore nga e cila varet e ardhmja e vendit dhe e të rinjve tanë, të cilët aktualisht nuk po e njohin cilësinë në arsimin e lartë vendor.
Shkup, 16 prill 2026 (MIA) - Propozim-ligji për arsimin e lartë nuk është hartuar pas dyerve të mbyllura, por përmes debateve me universitetet, ai është një zgjidhje e përbashkët me komunitetin akademik dhe besoj se do të japë rezultate. Ky nuk është ligj i Qeverisë, kjo nuk është çështje politike, por një çështje shtetërore nga e cila varet e ardhmja e vendit dhe e të rinjve tanë, të cilët aktualisht nuk po e njohin cilësinë në arsimin e lartë vendor.
Këtë e deklaroi kryeministri Hristian Mickoski në një konferencë për shtyp në Qeveri, me rastin e pakos së ligjeve për arsimin e lartë dhe për shkencën, të cilat janë në procedurë qeveritare.
Në konferencën për shtyp, së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe në prani të rektorëve të shtatë universiteteve publike, ai theksoi se duhet të ndalen eksperimentet dhe të zbatohen zgjidhje sistematike, sepse, siç tha ai, arsimi është themeli i çdo shoqërie.
"Për një kohë të gjatë arsimi i lartë po pëson dëme të mëdha, sepse në vitin 2018 u miratua një zgjidhje ligjore edhe më e keqe se ajo e mëparshmja, me kufij të ulura për avancim në tituj akademikë, me ulje të prodhimit të punimeve shkencore dhe me rënie të cilësisë. Në vitet e kaluara nuk pati asnjë vlerësim serioz dhe as nuk u propozuan zgjidhje. Si Qeveri nuk mund të lejojmë edhe një dekadë të humbur. Sot kemi vendosur një marrëdhënie të vërtetë partneriteti me komunitetin akademik dhe së bashku me ta po hartojmë një ligj të ri", tha Mickoski.
Ai theksoi se ligji për arsimin e lartë i përgjigjet sfidave reale, ndërsa në fokus janë të rinjtë, që ata të qëndrojnë në vend dhe këtu të ndërtojnë të ardhmen dhe karrierën e tyre. Ndër risitë, tha ai, është se për herë të parë studentët më të mirë do të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore, si dhe po futet një model i ri i financimit të institucioneve të arsimit të lartë.
Mickoski njoftoi se 7,5 miliardë denarë është buxheti i universiteteve dhe se ai është dukshëm më i madh se vitin e kaluar, duke shtuar se ky trend do të vazhdojë.
Ai shtoi se fokusi do të jetë edhe te shkenca, si dhe te mbështetja e punimeve shkencore, në mënyrë që universitetet tona, siç tha ai, sërish të njihen si qendra të cilësisë dhe inovacionit.
Ministrja Janevska i bëri të ditura përparësitë e ligjit të ri dhe theksoi se gjatë hartimit të tij janë dëgjuar mendimet nga debatet e organizuara në të gjitha universitetet dhe se janë inkorporuar të gjitha vërejtjet konstruktive dhe të argumentuara. qa/
Foto: MIA