Mickoski: Këta dhjetëra mijëra fëmijë të vegjël, që do të garojnë në muajt në vijim, do të rriten për t'u bërë njerëz që do ta promovojnë atdheun e tyre me dinjitet
- - Me nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes midis platformës ndërkombëtare "Lojëra sportive për të rinj" dhe Federatës së Sporteve Shkollore, vendi është bërë pjesë e "Plazma - Lojëra Sportive Amatore për Fëmijë", e cila në vitet e fundit ka bashkuar më shumë se dy milionë e gjysmë fëmijë nga disa vende. Më të mirët do të jenë pjesë e garave finale, të cilat do të mbahen në gusht të këtij viti në Split.
Shkup, 27 shkurt 2026 (MIA) - Me nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes midis platformës ndërkombëtare "Lojëra sportive për të rinj" dhe Federatës së Sporteve Shkollore, vendi është bërë pjesë e "Plazma - Lojëra Sportive Amatore për Fëmijë", e cila në vitet e fundit ka bashkuar më shumë se dy milionë e gjysmë fëmijë nga disa vende. Më të mirët do të jenë pjesë e garave finale, të cilat do të mbahen në gusht të këtij viti në Split.
Kryeministri Hristijan Micskosi në aktin solemn në Qeveri theksoi se është nder për ne që mund të jemi pjesë e kësaj ngjarjeje, sepse si Qeveri i kushtojmë vëmendje të jashtëzakonshme politikave për investimin te të rinjtë.
Ai theksoi se demografia paraqet një problem të përgjithshëm evropian dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të rinjtë, që nga mosha më e hershme, t’i edukojmë dhe t’i mësojmë se e ardhmja është në duart e tyre.
“Gjëja e dytë që është e rëndësishme për ne si Qeveri është sporti, unë mund të flas si një sportist i pasuksesshëm në rininë time, megjithëse isha mjaft i suksesshëm si basketbollist kur isha adoleshent, atëkohë në klubin e basketbollit ‘Rabotniçki’, më kujtohet kur Pece përgatitej për transferimin në të atëhershmin ‘POP 84’, në fillim të viteve nëntëdhjetë, kampioni evropian i asaj kohe ishte, nëse nuk gaboj, së pari ishte ‘Jugoplastika’, e më pas si ‘POP 84’ dhe mahniteshim me mënyrën se si ai luante në Parkun e Qytetit, në atë sallën e vogël të cilën tani e kemi rinovuar dhe si Qeveri kemi e mbështetur rinovimin e saj. Më pas disi jeta më çoi në një trajektore tjetër, në një gjimnaz të shkencave natyrore-matematikore, e më pas në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, më pas jashtë vendit për studimet master dhe ato të doktoraturës, si profesor universitar dhe tashmë dy vjet si kryetar i Qeverisë”, theksoi Mickoski.
Kryeministri përkujtoi se me ristrukturimin e Kabinetit, për herë të parë formuan Ministri të Sportit, e cila para kësaj Qeverie ishte Agjenci.
“Po mësojmë së bashku me Borkon se si është të jesh Ministri e Sportit sepse para kësaj Qeverie ishte një Agjenci. Por, mendoj se, ngadalë por sigurt, po i kapërcejmë ato sfida fillestare dhe tashmë po qëndrojmë mbi binarë dhe po fillojmë të funksionojmë si një institucion që duhet të jetë mbështetja kryesore e sportit jo vetëm në vend, por edhe në rajon”, tha Mickoski.

Me këtë ngjarje, shtoi ai, po krijojmë sinergji mes këtyre dy prioriteteve të Qeverisë – “të rinjtë, të cilët duhet ta mësojnë frymën sportive, të mësojnë fair-play, të respektojnë kundërshtarin, të mësojnë lojën ekipore, sepse në epokën e rrjeteve sociale jeta nuk është gjithçka që shihni, jeta është shumë beteja, jeta është lojë ekipore dhe nëse doni të jeni të suksesshëm duhet t’i mësoni këto gjëra”.
“Ka edhe sporte individuale, por në përgjithësi unë e kuptoj jetën si një lojë të përbashkët ekipore dhe si shoqëri dhe të jemi mbështetja për njëri-tjetrin. Jam i bindur se këto dhjetëra mijëra fëmijë të rinj që në muajt në vijim do të garojnë nëpër shkollat e vendit do të rriten në njerëz që me dinjitet do ta promovojnë dhe do ta duan atdheun e tyre dhe të njëjtën gjë do ta përcjellin edhe te gjeneratat që më pas do të garojnë nëpër shkollat e vendit. Jam i bindur se të rinjtë që do të arrijnë deri këtu do të jenë përfaqësues të denjë të sportit maqedonas në lojërat finale në Split këtë verë, në muajin gusht.
Eurokomisari për punë të brendshme dhe migrim, Magnus Bruner theksoi se kjo ngjarje është e rëndësishme jo vetëm për rajonin por edhe për gjithë Bashkimin Evropian dhe se shteti ynë dhe rajoni janë partnerë të afërt të BE-së.
“Sot, tregojmë se po i afrohemi më shumë njëri-tjetrit, se sporti na afron. Sporti është një nga mundësitë që padyshim na afron. Unë dhe kryeministri kemi disa gjëra të përbashkëta kur bëhet fjalë për sportin, të dy ne kur ishim të rinj duhej të vendosnim nëse do të merreshim me sport apo me karriera të tjera. Për të rinjtë, sporti është një gjë e jashtëzakonshme, e shohim këtë me fëmijët e mi, në rastin tim tenisi është më i rëndësishmi, por edhe futbolli dhe hendbolli” tha Bruner.

Ministri i Sportit, Borko Ristovski theksoi se ky projekt nënkupton sport të gjallë në shkolla, bashkësi aktive lokale dhe bashkëpunim të fuqishëm ndërmjet institucioneve, federatave dhe bashkësisë së biznesit.
“Kjo do të thotë mundësi për mijëra fëmijë të veshin një fanellë për herë të parë. Të qëndrojnë në start, të ndiejnë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një ekipi, të krijojnë miq të rinj, të rriten dhe të përparojnë. Jam veçanërisht i kënaqur që më të mirët prej tyre do ta përfaqësojnë Maqedoninë në finalen ndërkombëtare në Split. Jo vetëm si konkurrentë, por edhe si ambasadorët tanë të rinj të miqësisë, respektit dhe sportivitetit”, tha Ristovski.

Qëllimi ynë është i qartë, shtoi Ristovski, të ndërtojmë breza që do të fitojnë me karakter, të krijojmë një kulturë sportive të bazuar në vlera pozitive dhe ta kthejmë gëzimin e sportit aty ku i takon - tek fëmijët.
Trajneri i famshëm serb i basketbollit dhe ish-basketbollisti, i cili është edhe ambasador i lojërave, Zheljko Obradoviq, u uroi fëmijëve dhe të rinjve nga Maqedonia të miqësohen me bashkëmoshatarët dhe kolegët e tyre nga vendet e tjera, ku Lojërat Rinore kanë fituar prej kohësh një vrull të madh.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe shefat e diplomacive të vendit tonë dhe të Kroacisë, Timço Mucunski dhe Gordan Gërlliç Radman, ambasadorja kroate në vend, Nives Tiganj, si dhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.
Nën kujdesin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Komisionit Evropian dhe organizatave të tjera të rëndësishme, "Plazma - Lojërat Sportive Rinore" ofrojnë një platformë ku të rinjtë mund të garojnë në dhjetë sporte dhe të përjetojnë sportin në një mjedis të sigurt dhe inkurajues, duke mësuar rreth rëndësisë së aktivitetit fizik, bashkëpunimit dhe lojës së ndershme.
Marrëveshja u nënshkrua nga Elena Mickovska, kryetare e Federatës së Sporteve Shkollore të Maqedonisë, dhe Zdravko Mariç, kryetar i "Plazma - Lojërat Sportive Rinore". Ky bashkëpunim midis partnerëve kombëtarë dhe platformës ndërkombëtare hap mundësinë që mbi një mijë fëmijë nga disa komuna në vend të marrin pjesë në gara sportive të organizuara dhe gjithëpërfshirëse që promovojnë vlerat e lojës së drejtë, një stil jetese të shëndetshëm, përfshirjen dhe miqësinë midis të rinjve.
"Lojërat Sportive Rinore" do të përfshijnë gara në 10 disiplina sportive (futboll me pesë lojtarë, volejboll, volejboll plazhi, hendboll, basketboll 3x3, tenis, pingpong, shah, atletikë - 60 metra me pengesa dhe vrapim me pengesa) për djem dhe vajza. Ato do të mbahen në prill, maj dhe qershor 2026 në 18 ditë sportive, duke përfshirë shkolla dhe bashkësi lokale nga i gjithë vendi, me mbështetjen e federatave kombëtare të sporteve. Individët dhe ekipet më të mira nga garat kombëtare në Maqedoni do të udhëtojnë në finalen ndërkombëtare të Lojërave në Split, ku do të kalojnë disa ditë duke u shoqëruar dhe duke garuar me bashkëmoshatarët e tyre nga vendet e përfshira në projekt.
Duke iu bashkuar kësaj platforme ndërkombëtare, vendi ynë i bashkohet Kroacisë, Sllovenisë, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat tashmë i kanë zbatuar Lojërat. Në të njëjtën kohë, vendi po krijon platformën e vet kombëtare me theks tek të rinjtë, si dhe po forcon bashkëpunimin e shkollave, komunave, federatave kombëtare sportive dhe komunitetit të biznesit si në vend ashtu edhe në skenën sportive rajonale. fc/
Foto: Qeveria