Mickoski: Kujtimi i Holokaustit është detyrimi ynë moral, ndërsa lufta kundër urrejtjes është përgjegjësia jonë historike
- Sot qëndrojmë në heshtje dhe me respekt të thellë përpara një prej faqeve më të dhimbshme të historisë sonë. Sot kujtojmë deportimin e hebrenjve maqedonas – një tragjedi që përgjithmonë e shënoi kujtesën tonë kolektive.
Shkup, 11 mars 2026
Sot qëndrojmë në heshtje dhe me respekt të thellë përpara një prej faqeve më të dhimbshme të historisë sonë. Sot kujtojmë deportimin e hebrenjve maqedonas – një tragjedi që përgjithmonë e shënoi kujtesën tonë kolektive.
Në mars të vitit 1943, më shumë se shtatë mijë bashkëqytetarë tanë – hebrenj nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi, u mblodhën me forcë, u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre, nga familjet e tyre, nga jeta e tyre. Ata u deportuan në kampin e vdekjes Treblinka, ku jetët e tyre u ndërprenë në mënyrë mizore.
Pas atij numri qëndrojnë emra, familje, ëndrra, talente dhe fate. Qëndrojnë njerëz që ishin pjesë e indit të qyteteve tona, e tregtisë, e kulturës dhe e shpirtit të vendit. Me zhdukjen e tyre, vendi ynë humbi një pjesë të shpirtit të vet.
Por sot nuk kujtojmë vetëm tragjedinë. Kujtojmë edhe detyrimin. Detyrimin që kurrë të mos lejojmë që urrejtja, antisemitizmi, racizmi dhe intoleranca të gjejnë sërish vend në shoqëritë tona.
Historia na mëson se e keqja fillon me fjalë, me paragjykime, me indiferencë. Dhe përfundon me tragjedi që e tronditin njerëzimin.
Prandaj sot, si shtet dhe si shoqëri, e ripërtërijmë betimin tonë: se do ta ruajmë të vërtetën, do ta kultivojmë kujtimin dhe do ta mbrojmë dinjitetin njerëzor.
Forca jonë gjithmonë ka qenë në faktin se kultura, fe dhe tradita të ndryshme kanë jetuar së bashku, duke krijuar një të ardhme të përbashkët.
Komuniteti hebre ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij vendi. Kontributi i tij në kulturë, arsim, ekonomi dhe në jetën shoqërore është pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët.
Sot, kur kujtojmë viktimat e Holokaustit, dërgojmë një mesazh të qartë:
Kujtimi është detyrimi ynë moral dhe atë të vërtetë duhet ta mbrojmë me çdo kusht, ndërsa lufta kundër urrejtjes është përgjegjësia jonë historike.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për hebrenjtë maqedonas të deportuar.
Tragjedia e tyre qoftë një paralajmërim për të gjitha brezat që vijnë.
Lavdi e përjetshme dhe kujtim i përjetshëm për ta.