Mickoski: Fokusi ynë është në konsolidimin dhe rritjen ekonomike të vendit, si dhe në zgjedhjet e rregullta parlamentare në vitin 2028
- Kryeministri Hristijan Mickoski sonte deklaroi se fokusi i Qeverisë është në konsolidimin dhe rritjen ekonomike, si dhe në zgjedhjet e rregullta parlamentare, të cilat do të mbahen në vitin 2028.
Shkup, 12 mars 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski sonte deklaroi se fokusi i Qeverisë është në konsolidimin dhe rritjen ekonomike, si dhe në zgjedhjet e rregullta parlamentare, të cilat do të mbahen në vitin 2028.
Mickoski, në intervistë për tv Ora24., i pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, diçka që opozita e ka përmendur disa herë, theksoi se prioritet i Qeverisë janë reformat dhe ofrimi i tyre për qytetarët.
"Qytetarët, bashkësia ndërkombëtare dhe ne në Qeveri jemi të përqendruar në reforma dhe ofrim rezultatesh për qytetarët. Ky është prioriteti ynë. Frojdi kur punon në opozitë është më shumë nga frika dhe tani e artikulojnë më shumë nga frika se e dinë se çfarë lloj debakli do të përjetojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, se do të humbasin dhe besoj se në zgjedhjet e ardhshme do të kenë një rezultat edhe më të keq se ai që kishin në vitin 2024, i cili ishte rezultati historikisht më i ulët, të cilin më pas e konfirmuan në zgjedhjet lokale. Këtë vit, fokusi ynë është në konsolidimin dhe rritjen ekonomike të vendit. Edhe pse kemi shumë sfida, siç thamë në fillim, ne jemi të fokusuar dhe të përqendruar vetëm këtu dhe po përqendrohemi në zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të zhvillohen në vitin 2028", theksoi Mickoski.
Ai theksoi se do të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të ruajtur kohezionin brenda Qeverisë, duke theksuar se kanë shumicën, se Qeveria është e qëndrueshme dhe se kanë 61 deputetë në Parlament.
Ai paralajmëroi rikonstruim të Qeverisë për maj-qershor, duke theksuar se aktualisht është i përqendruar në strukturën e partisë dhe plotësimin e ekipit, të cilat duhen bërë dhe të cilat pret të përfundojnë deri në fund të prillit.
Kur u pyet nëse ka ndonjë parti politike që pret të hyjë në qeveri, qoftë BDI, Aleanca e Shqiptarëve e Zijadin Selës apo ajo e Arben Taravarit, Mickoski u përgjigj se ata kanë marrëdhënie jashtëzakonisht cilësore brenda koalicionit qeveritar dhe se në këtë moment nuk janë të interesuar të ndryshojnë strukturën e tij.
Mickoski tha se nuk mund të flasë në emër të askujt tjetër nëse është i interesuar dhe theksoi se mund të japë një vlerësim për situatën në koalicion, si kryetar i partisë më të madhe politike në të.
Lidhur me zhvillimet e fundit në VLEN me shprehjet e pakënaqësisë tek ministri Fatmir Limani, e më pas edhe tek zëvendëskryeministri Arben Fetai, Mickoski u përgjigj se qëndrimi i tij personal është i njohur, i cili është se bashkimi në një subjekt politik do të gjenerojë stabilitet brenda VLEN-it, por shtoi se brenda koalicionit qeveritar kanë bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt, duke theksuar se nuk dëshiron të komentojë qëndrimet që artikulohen përmes rrjeteve sociale.
Lidhur me rastin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe nëse prej tij janë marrë informacione për aktivitete të mundshme të paligjshme dhe kush duhet të ketë më shumë frikë prej tij - LSDM, BDI, VLEN, Mickoski tha se duhet t’i jepet kohë kohës, por edhe se beson se lista është e gjatë.
"Në interes të hetimit dhe informacioneve që kam, nuk do të doja të hyja shumë thellë në ndjenjat e politikanëve aktualë dhe të mëparshëm individualë, por askush nuk duhet të ketë frikë nëse nuk ka bërë diçka kundër ligjit. Dhe të gjithë ata që kanë bërë diçka kundër ligjit duhet të kenë frikë, pavarësisht se cilës parti politike i përkasin", theksoi Mickoski.
Lidhur me akuzat e opozitës për migrantët, Mickoski theksoi se nuk ka burim më të besueshëm se ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, i cili, siç tha, vetë tha se nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë negociata për temën e migrantëve nga Mbretëria e Bashkuar që do të pranoheshin këtu.
"Që të mos keqkuptohem, jo vetëm që nuk do të ketë kampe për emigrantë, por nuk do të ketë asnjë mundësi për ata që i quajnë "failed asylum seekers", gjegjësisht aplikantë të pasuksesshëm për azil. Le të gjejnë një rast të tillë, pastaj ne do të dalim publikisht dhe do të kërkojmë falje. Por nuk ka besueshmëri më të madhe se vetë ambasadori, i cili tha qartë se nuk ka diçka të tillë", theksoi Mickoski. ls/
Foto: printskrin