Mickoski e ftoi Radevin të vizitojë vendin
- Kryeministri Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e ftoi presidentin bullgar Rumen Radev ta vizitojë vendin.
Shkup, 8 maj 2026 (MIA) – Kryeministri Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e ftoi presidentin bullgar Rumen Radev ta vizitojë vendin.
Mickoski, pas hapjes solemne të sezonit të parë të “Plazma – Lojërat sportive për të rinj” në Sheshi Maqedonia në Shkup, duke iu përgjigjur pyetjes të gazetarëve nëse do ta ftojë zyrtarisht Radevin për vizitë në vend dhe për takim në nivel kryeministrash, tha se nuk sheh arsye pse të mos e bëjë këtë.
"Nuk shoh arsye pse të mos e ftoj. Nëse kjo është ftesë në këtë mënyrë, ja ku e fto", deklaroi Hristijan Mickoski.
Lidhur me atë nëse pret përkeqësim të marrëdhënieve pasi sot Kuvendi Popullor bullgar zgjodhi qeverinë e re të udhëhequr nga Rumen Radev, të propozuar nga partia “Bullgaria Progresive”, Mickoski theksoi se ai nuk ka thënë se pret përkeqësim, por se nuk pret përmirësim.
"Për sa kohë që ka 'këlyshë' të LSDM-së, të cilët gjunjëzohen dhe i shesin interesat kombëtare maqedonase, nuk pres përmirësim. Në vend që të qëndrojnë me ne dhe të luftojnë për interesat kombëtare maqedonase, këta 'këlyshë' vendosën të gjunjëzohen atje për pak para. Ndërsa sa i përket Rumen Radev, kur fitoi, unë atë mëngjes e urova, e telefonova që të kemi marrëdhënie të suksesshme fqinjësore dhe shpresoj që me këtë qeveri të mund t’i përmirësojmë marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe të mund të bisedojmë për temat për të cilat duhet të bisedojmë", theksoi Hristijan Mickoski.
Në pyetjen për të komentuar deklaratën e djeshme të Bujar Osmani në emisionin “Samo Intervju”, se nuk duhet të lejohet të kalojë në Kuvend ligji për përfaqësim të drejtë, madje edhe me përdorimin e forcës fizike, Hristijan Mickoski tha se këto kërcënime i zbulojnë qëllimet e vërteta.
"Kërcënimet e Bujar Osmani vetëm tregojnë se cilat janë qëllimet e vërteta. Ai është një ligj që është miratuar nga Komisioni i Venecias dhe që i plotëson të gjitha kushtet ndërkombëtare. Ndërsa për pjesën e përmbajtjes së deklaratës së tij, unë nuk kam çfarë të them, supozoj se ky është ai folklor që do ta dëgjojmë në periudhën që vjen. Ne kemi marrëveshje ndërkoalicioni, ligji është dërguar në Kuvend dhe pres që të miratohet sa më shpejt", tha ai.
Lidhur me ndryshimet e çmimeve të naftës në bursat botërore dhe pritjet e tij për gjendjen në vend javën e ardhshme, Mickoski tha se deri në fund të ditës do të ketë më shumë informacione dhe, sipas asaj që ka parë gjatë dy-tri ditëve të fundit, pret që të hënën të kemi ulje të çmimeve. ls/
Foto: Printskrin