• сабота, 16 мај 2026

Mickoski: Cilësia e jetës është thelbi i politikave demografike- jo numrat

Mickoski: Cilësia e jetës është thelbi i politikave demografike- jo numrat

Shkup, 7 maj 2026 (MIA) - Ndryshimet demografike paraqesin realitet që kërkon përgjegjësi, vizion dhe politika sistemore, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në Konferencën rajonale ministrore "Udhëheqja e ndryshimeve: Rrugët drejt rezistencës demografike në përputhje me nevojat e njerëzve" e cila po mbahet në Shkup, në organizim të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe UNFPA-s, nën patronazhin e Qeverisë.

"Kjo nuk paraqet vetëm një konferencë, është një bisedë për të ardhmen e popujve tanë, për atë se çfarë lloj vendesh do të lëmë pas, nëse do të krijojmë shoqëri ku të rinjtë do të duan të qëndrojnë, familjet do të duan të krijojnë një të ardhme dhe të moshuarit do të jetojnë me dinjitet", theksoi Mickoski në fjalën e tij hyrëse.

Kryeministri theksoi se kriza demografike tashmë ka pasoja të dukshme dhe se ajo nuk duhet të trajtohet ekskluzivisht si çështje statistikash. Ai vlerësoi se qasja aktuale e fokusuar kryesisht në numra, ka krijuar politika pa një vizion afatgjatë dhe ndikim real.

"Për një kohë të gjatë, shumë vende, përfshirë edhe rajonin tonë i kanë parë këto ndryshime ekskluzivisht përmes prizmit të numrave - sa pak jemi, sa të vjetër jemi, sa njerëz po largohen. Ky i ashtuquajtur ankth demografik shpesh ka krijuar politika që reaguan vonë, në mënyrë të fragmentuar dhe pa një vizion afatgjatë. Por thelbi nuk është vetëm te numrat. Thelbi është te cilësia e jetës, te besimi që qytetarët kanë në vendin e tyre, te ndjesia se mund të krijojnë një shtëpi, një familje, një karrierë dhe një të ardhme këtu", theksoi kryeministri.

Sipas tij, problemi kryesor është hendeku në rezistencën demografike, pra mungesa e gatishmërisë për të njohur dhe menaxhuar ndryshimet në kohën e duhur. Në këtë kontekst, ai paralajmëroi Strategjinë e re për rezistencë demografike 2026–2046.

"Qasja jonë është e qartë: në vend të politikës së frikës, po ndërtojmë një politikë të rezistencës, në vend të masave afatshkurtra, po krijojmë një strategji afatgjatë, në vend të angazhimeve deklarative, po vendosim zgjidhje sistemike. Kjo është arsyeja pse kemi përgatitur Strategjinë e re për rezistencë demografike 2026–2046 – jo si një dokument formal që do të mbetet në letër, por si një kornizë kombëtare për të ardhmen e vendit", tha Mickoski.

Ai u dërgoi porosi të rinjve se duhet të ëndërrojnë në shtëpi.

"Ne duhet të ëndërrojmë në shtëpi dhe duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët në shtëpi, në atdheun tonë të përbashkët. Sa më fort të ëndërrojmë dhe sa më shumë të punojmë në shtëpi, aq sistem më të fortë do të kemi. Mos kontribuoni në ekonomitë e të tjerëve - e ardhmja e atdheut tuaj ndërtohet në shtëpi", tha kryeministri.

Fjalim mbajti edhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani i cili vlerësoi se rajoni dhe Evropa Lindore po përballen me sfida të thella dhe afatgjata demografike.

"Rajoni dhe një pjesë e madhe e Evropës, veçanërisht Evropa Lindore, po përballen me sfida serioze demografike, lindshmëri të ulët, migrim dhe plakje të përshpejtuar të popullsisë. Në disa vende, popullsia është zvogëluar për një të tretën që nga vitet 1990 e këndej, me pasoja të drejtpërdrejta për tregun e punës, sistemet shëndetësore dhe pensionale dhe konkurrueshmërinë ekonomike", theksoi Limani.

Në këtë drejtim, siç shtoi ai, nevojiten politika të guximshme dhe afatgjata dhe vuri në dukje se janë pikërisht këto realitete të ndryshme që kërkojnë politika afatgjata dhe të guximshme të përqendruara te njerëzit, të bazuara në prova, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunim rajonal.

Ministri informoi se Qeveria me mbështetjen e UNFPA-së, po finalizon Strategjinë kombëtare për zhvillimin demografik dhe rezistencën.

"Me mbështetjen e UNFPA-së, po finalizojmë Strategjinë kombëtare për zhvillimin demografik dhe rezistencën konform Strategjisë kombëtare të zhvillimit 2023–2042 dhe Kornizën për bashkëpunim me Kombet e Bashkuara 2026–2030. Për momentin janë duke u zhvilluar konsultime publike me të gjithë palët e interesuara, pas së cilave strategjia do t’i dorëzohet për miratim Qeverisë dhe Parlamentit", deklaroi Limani.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, theksoi se sfidat demografike kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e jashtme, konkurrueshmërinë ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë të vendit.

"Sfidat demografike nuk janë vetëm statistika. Sot ato janë çështje e konkurrueshmërisë ekonomike, qëndrueshmërisë kombëtare dhe stabilitetit afatgjatë të vendit. Si një vend që historikisht ka qenë një udhëkryq civilizimesh, kulturash dhe idesh, ne nuk duhet të jemi vëzhgues pasivë, por duhet t'i formësojmë këto procese në mënyrë aktive", thekson Mucunski.

Ai tha se kapitali njerëzor dhe diaspora paraqesin një burim strategjik kyç për zhvillimin dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit.

"Diaspora jonë përfaqëson potencial të madh dhe urë natyrore midis vendeve në botë, duke lidhur njerëzit, ekonomitë, njohuritë dhe mundësitë e reja. Prandaj, përmes Strategjisë së re për bashkëpunim me diasporën 2025–2030, ne duam të ndërtojmë lidhje më të forta dhe më dinamike dhe të shkojmë përtej remitancave tradicionale drejt investimeve dhe partneriteteve zhvillimore afatgjata", theksoi ministri.

Pas fjalimit zyrtar, vijojnë fjalimet hyrëse nga përfaqësues të lartë të shtetit dhe KB-së. Sot, në kuadër të konferencës do të mbahen katër diskutime tematike në panel, me pjesëmarrjen e ministrave, zëvendësministrave dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare. Ndërsa në ditën e dytë - nesër konferencën do ta hapë kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Foto: MIA

Остани поврзан