Mickoski: Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, por duhet të dihet se gjuha zyrtare në këtë vend është gjuha maqedonase
- Gjuha zyrtare e të gjithë vendit është maqedonishtja dhe shkrimi i saj cirilik, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja e Kuvendit, duke u përgjigjur në pyetjen parlamentare të Skender Rexhepit nga Fronti Evropian për përdorimin e gjuhëve dhe përfaqësimin e drejtë.
Shkup, 26 mars 2026 (MIA) - Gjuha zyrtare e të gjithë vendit është maqedonishtja dhe shkrimi i saj cirilik, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja e Kuvendit, duke u përgjigjur në pyetjen parlamentare të Skender Rexhepit nga Fronti Evropian për përdorimin e gjuhëve dhe përfaqësimin e drejtë.
Në seancën e sotme kushtuar pyetjeve parlamentare, Rexhepi i kërkoi kryeministrit të shpjegonte, siç tha ai, "pse Qeveria, në një kohë krize ekonomike dhe politike, ngre tema etnike çdo ditë". Ai kërkoi gjithashtu sqarime nëse ministrat e qeverisë kanë nevojë për përkthyes, duke marrë parasysh se, sipas tij, "deputetët nuk janë të detyruar të dinë gjuhën maqedonase nëse dinë shqip".
Kryeministri Mickoski theksoi në përgjigjen e tij se Ligji për përfaqësim të drejtë do të jetë para deputetëve së shpejti, pasi, siç tha ai, të ketë kaluar nëpër të gjitha procedurat institucionale dhe mendimin e Komisionit të Venecias.
"Ligji është kushtetues, jo antikushtetues, pasi koalicioni juaj i ka gënjyer maqedonasit për 20 vjet", tha Mickoski.
Lidhur me çështjen e njohjes së gjuhës maqedonase, kryeministri përsëriti se Kushtetuta e përcakton gjuhën maqedonase si zyrtare në të gjithë territorin, ndërsa shqipja dhe gjuhët e tjera përdoren në përputhje me dispozitat për vetëqeverisjen lokale.
"Nuk më shqetëson shqipja, as turqishtja, serbishtja, anglishtja, asnjë gjuhë në botë nuk më shqetëson dhe nuk do të më shqetësojë. Por nëse e lexoni Kushtetutën, sipas saj, gjuha zyrtare është maqedonishtja dhe shkrimi i saj cirilik. Kemi një amendament në seksionin për njësitë e vetëqeverisjes lokale", tha kryeministri.
Ai iu referua edhe rastit të fundit publik që përfshinte pyetjen e një gazetari drejtuar ministres Vesna Janevska, duke e përshkruar sjelljen e gazetarit si të papërshtatshme.
"Askush nuk është kundër përdorimit të gjuhës shqipe nga ana juaj, mund të flisni çfarëdo gjuhe që dëshironi, por duhet të dihet se gjuha zyrtare në këtë vend është maqedonishtja dhe shkrimi i saj cirilik, si dhe për përdorim ndërkombëtar", theksoi ai. sa/
Foto: MIA arkivi