• вторник, 21 април 2026

Mickoski: Agjenda e reformave nuk është më vetëm plan në letër, po jep rezultate konkrete

Mickoski: Agjenda e reformave nuk është më vetëm plan në letër, po jep rezultate konkrete

Shkup, 20 prill 2026 (MIA) – Agjenda reformuese nuk është më vetëm një plan në letër; ajo po jep rezultate konkrete dhe të matshme, shkroi sot kryeministri Hristijan Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk, pas takimit në Qeveri me ambasadorët e Bashkimit Evropian.
 

Në takim, siç shkruan, është biseduar për përparimin dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e agjendës reformuese.

"Në periudhën e kaluar e kemi përshpejtuar zbatimin në të gjitha fushat kyçe. Disa hapa tashmë janë realizuar plotësisht, ndërsa të tjerë po ecin më shpejt se sa ishte planifikuar. Kjo pasqyron një përkushtim të fortë politik, koordinim më të mirë institucional dhe fokus të qartë në rezultate", shkruan Mickoski.

Në financat publike, shton, po e forcojmë llogaridhënien dhe transparencën.

"Institucionet raportojnë më shumë, menaxhojnë rreziqet në mënyrë më sistematike dhe zbatojnë kontrolle më të rrepta mbi shpenzimet publike. Në të njëjtën kohë, po modernizojmë sistemin buxhetor dhe po përmirësojmë planifikimin dhe monitorimin e investimeve publike. Mesazhi është i thjeshtë: mjetet publike menaxhohen më me përgjegjësi dhe më me efikasitet", thekson kryeministri.

Këto reforma, thekson, nuk janë aktivitete të izoluara. Ato janë pjesë e një transformimi më të gjerë. Ato e sjellin ekonominë tonë më afër Tregut të Përbashkët të BE-së.

"Ato i forcojnë institucionet në përputhje me standardet evropiane dhe sjellin rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset. Mbetemi plotësisht të harmonizuar me Bashkimin Evropian, politikisht, ekonomikisht dhe strategjikisht", shton Mickoski. ls/

Foto: Fejsbuk i kryeministrit Hristijan Mickoski 

 

 

Остани поврзан