18:00 / 30 korrik / 2026
Shkup - Dy pacientë, të moshës 76 dhe 66 vjeç, nga shtatë të hospitaiyuarit në Klinikën për Sëmundje Infektive me Ethet e Nilit perëndimor, janë në gjendje kritike dhe janë në ventilim mekanik në departamentin e mjekimit intensiv, deklaroi pasdite drejtori i Klinik;s, Fadil Cana, i cili tha se përveç kësaj, për tre pacientë të tjerë, të cilët u pranuan me diagnozën e sëmundjes akute të trurit dhe meningjeve, se gjatë ditës priten rezultatet laboratorike nga Instituti i Shëndetit Publik. Ai potencoi se të shtatë pacientët janë nga disa lagje të Shkupit, ndërsa vetëm njëri prej tyre kishte udhëtuar në Greqi. Të tre të cilët po testohen për të përcaktuar nëse e kanë virusin, shpjegoi Cana, janë gjithashtu nga Shkupi.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski paraqiti të dhëna krahasuese ekonomike, duke theksuar se rritja e BPV-së dhe rritja e pensioneve janë trefish më të larta tani sesa gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së. Pagat rriten me ritëm më të shpejtë, çmimet e derivateve të naftës janë më të ulëtat në rajon pavarësisht kushteve të krizës, ndërsa, duke krahasuar të dhënat për inflacionin, nënvizoi se inflacioni në qershor të vitit 2026 është 3,4 për qind, ndërsa në qershor të vitit 2022, gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, ishte 14,7 për qind. Në përgjigje të pyetjes së deputetit Venko Filipçe, Mickoski foli edhe për kredinë hungareze, duke theksuar se Hungaria ka konfirmuar se bëhet fjalë për kredi të marrë me kushte preferenciale.
Shkup - Pas një pauze njëorëshe, Kuvendi do të vazhdojë seancën e pyetjeve të deputetëve në orën 16. Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, në fillim të seancës informoi se deputetja Ilire Dauri mori përgjigje për pyetjen e saj, gjë që, siç potencoi, se të gjitha keqkuptimet në pjesën e seancës së paradites, kanë përfunduar. "Sipas nenit 99, në seancën e Kuvendit askush nuk mund të përgjigjet para se të marrë leje nga kryetari i Kuvendit. Manipulimi i institutit të vërejtjeve procedurale mendoj se është vërtet i tepërt, duke pasur parasysh se e drejta për vërejtje procedurale e secilit deputet mbaron kur shkelet e drejta e një deputeti tjetër, në përputhje me Kushtetutën, për t'u bërë pyetje përfaqësuesve të Qeverisë të cilët janë të pranishëm këtu. Prandaj, ju kërkoj të shkëputeni në mënyrë që të mund të vazhdojmë me punën tonë, tha Bendevska, pas së cilës ajo publikoi një puzë deri në orën 16.
Shkup - Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, përsëri dha një pauzë njëorëshe seancës në të cilën duhet të bëhen pyetjet e deputetëve. Më herët, deputetja Ilire Dauti kërkoi përsëri fjalën për një vërejtje procedurale, ndërsa Bendevska konstatoi se ajo kishte shkelur nenin 98 të Rregullores, i cili mundëson një vërejtje procedurale dhe rregullon arsyet për të cilat jepet fjala, tre herë. Ju, i tha Bendevska Dautit, nuk keni vërejtje për zhvillimin e seancës, ndërsa pikërisht për këtë shërben një vërejtje procedurale. Seanca duhet të vazhdojë në orën 17:10.
Shkup - Gjykata Kushtetuese njofton se gjyqtarja Meri Dika Georgievska sot ka filluar detyrat e saj të punës në Gjykatë. "Në kuadër të ditës së parë të punës, gjyqtarja Georgievska zhvilloi një takim pune me kryetarin dr. Darko Kostadinovski, i cili e njohu atë me organizimin e brendshëm dhe mënyrën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me gjyqtarët dhe punonjësit e shërbimit profesional", thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese. Nga atje shtojnë se Georgievskës i janë dorëzuar materialet e punës për aktivitetet e ardhshme të Gjykatës.
Shkup, 30 korrik 2026 (MIA) - Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, pasdite përmes Fejsbukut informoi se sot pati një takim me Nikoll Varns, ushtruese e detyrës ambasadore në SHBA, ku diskutuan prioritetet ekonomike, reformat dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Shkup - Në periudhën 2022–2026 deri sot në SPB Shkup janë evidentuar gjithsej 1.275 raste të paraqitur të dhunës në familje, ndërsa të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të efikasitetit në trajtimin dhe përpunimin e kryerësve të veprave penale, u kumtua gjatë vizitës së sotme nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në Departamentin për Dhunë Familjare pranë SPB Shkup. Siç informoi MPB-ja, Toshkovski drejtëpërdrejtë u njoh me punën e përditshme të këtij njësiti, sfidat me të cilat përballen dhe rezultatet që kanë arritur.
Shkup - Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përmes një kumtese me shkrim, ka bërë të ditur se puna në terren po zhvillohet me intensitet në të gjitha pjesët e komunës, ku njëkohësisht po realizohen investime në infrastrukturën nëntokësore dhe sipërfaqësore. "Në çdo rrugë, në çdo lagje, në të gjithë Çairin po punohet. Po investojmë në infrastrukturën nëntokësore, po ndërtojmë e rikonstruktojmë rrugë, trotuare dhe hapësira publike, me një ritëm që shihet çdo ditë", theksoi Mexhiti.
Shkup – Nën ndikimin e një mase të nxehtë ajrore nga jugu, gjatë fundjavës së zgjatur dhe deri në fund të javës së ardhshme, moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të vogla deri mesatare lokale, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura maksimale ditore kudo do të jetë mbi 32 gradë Celsius, ndërsa në disa vende do të tejkalojë 40 gradë.
Veles - Në një aksident trafiku që ndodhi sot në mëngjes rreth orës 9 në rrugën nga Gradsko në qarkoren për autostradën për në Prilep midis dy automjeteve të udhëtarëve nga Shkupi dhe Manastiri, u lënduan nëntë persona, dy prej të cilëve rëndë. Të lënduarit më rëndë u transferuan në spitalet në Shkup, ndërsa shtatë të tjerët, në mesin e të cilëve tre fëmijë, u hospitalizuan në Spitalin e Velesit. Asnjë nga të lënduarit nuk është në gjendje të rrezikshme për jetën. Siç informoi për MIA-n dr. Elena Najdovska nga Shërbimi i Ndihmës Urgjente në kuadër të ISHP Shtëpia e Shëndetit, thirrja ka ardhur në orën 9:07 dhe menjëherë në vendin e aksidentit janë drejtuar dy ekipe dhe dy automjete të Ndihmës Urgjente. Ata u kanë dhënë ndihmë mjekësore nëntë personave të lënduar nga të dy automjetet, nga të cilët dy nga të lënduarit më rëndë kanë pasur fraktura. Të gjithë nëntë personat e lënduar pas ndihmës së parë janë transferuar urgjentisht në Spitalin e Përgjithshëm të Velesit.
Strumicë - Uji në fshatin Riç dhe Belotinë të Strumicës është i sigurt për t’u pirë, kumtuan sot nga Komuna e Strumicës. "Nga uji në vendbanimet Riç dhe Belotinë u morën mostra të reja, dhe në bazë të gjetjeve laboratorike mikrobiologjike dhe fiziko-kimike, dhe në përputhje me Rregulloren për sigurinë e ujit, u përcaktua se mostrat e testuara përputhen me rregulloret ligjore dhe profesionale dhe se uji është i sigurt për pije", thuhet në kumtesë.
Bruksel – Raketa për të cilën dyshohet se është ruse dhe e cila ra në Poloni përbën edhe një tjetër “shkelje të papranueshme” të hapësirës ajrore të Bashkimit Evropian, deklaroi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen. “Për t’i dhënë fund kësaj, ne po e ndihmojmë Ukrainën që ta fitojë këtë luftë në çdo mënyrë të mundshme”, shkroi Fon der Lajen në platformën sociale Iks. Ajo shtoi se Bashkimi Evropian njëkohësisht po ndërton një “arkitekturë të qëndrueshme evropiane të sigurisë në tokë, ujë dhe ajër”.
Berlin – Një zjarr i madh pyjor ka shpërthyer në Alpet Bavareze, ndërsa autoritetet gjermane kanë paralajmëruar banorët e vendbanimeve të afërta për tym të dendur dhe rrezikun e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, ndërsa tre helikopterë janë të angazhuar në shuarjen e terrenit malor të paarritshëm, raportoi revista gjermane "Shpigel". Zjarri shpërtheu në afërsi të malit Lakenbergvand, në vendin Untervesen, në një pjesë vështirë të kapshme në krye të Hohvandit, në lartësi mbidetare prej afro 1.000 metra. Shërbimi zjarrfikës në zonën Traunshtajn njoftoi se po vijon aksion i madh për lokalizimin e zjarrit, me paralajmërim se shuarja mund të zgjasë me javë, duke përkujtuar zjarrin pyjor në Zaurisellkopf në afërsi të Rupollding nga maji i këtij viti, i cili u vu nën kontroll madje pas një muaji.
Ankara - Lufta kundër zjarreve në pyje vazhdon në rajonet e Detit Egje dhe Mesdheut, si dhe në pjesë të tjera të Turqisë, ku temperaturat e larta dhe erërat e forta po pengojnë ndjeshëm ndërhyrjet e ekipeve të zjarrfikësve, njofoti Anadollu. Situata është më kritike në provincën Mugla, në bregdetin e Egjeut, ku një zjarr që shpërtheu dje u përhap me shpejtësi nën ndikimin e erërave të forta, duke detyruar evakuimin e spitalit shtetëror në qytetin Sejdikemer dhe të banorëve të qindra shtëpive, transmeton agjencia DHA. Ekipet ajrore dhe tokësore po ndërhyjnë intensivisht në zonat Jeshiljuzumlu dhe Sejdikemer, në afërsi të qendrës së famshme turistike Fethije.
Kajro - Një sulm me dron ndaj anijeve të magazinimit të gazit në portin mesdhetar të Damietës në Egjipt ka ngritur shqetësime se një front i ri mund të hapet në luftën midis SHBA-së dhe Iranit, duke rritur frikën se transporti detar përmes Kanalit të Suezit mund të kërcënohet. Kanali i Suezit është rruga e fundit e sigurt e eksportit për naftën saudite, transmeton Beta. Qeveria egjiptiane sot kumtoi se një hetim paraprak tregoi se një dron i paidentifikuar u kishte vënë flakën dy anijeve në portin e Damietës, i cili ndodhet në afërsi rë kanalit të Suezit, i cili lidh Detin Mesdhe dhe Detin e Kuq.