12:00/26 gusht/2026
Shkup - Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, sot pritet të vazhdojë gjykimi për rastin "Onkologjia", i cili zhvillohet kundër ish drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev dhe dy onkologëve të tjerë, të akuzuar për trajtim të papërgjegjshëm të pacientëve. Rastin e drejton gjyqtarja Snezhana Markovska, ndërsa përfaqësuese e aktakuzës është prokurorja publike Marija Gjorgjeva nga PTHP - Shkup.
Uashington - Ekonomia globale po i përballon goditjet energjetike nga lufta me Iranin më mirë se sa pritej, deklaroi drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Kristalina Georgieva. Në të njëjtën kohë, Georgieva shprehu brengë për përkeqësimin e kushteve fiskale në disa vende, siç tregohet nga rritja e rendimenteve të obligacioneve dhe ngecja e procesit të uljes së inflacionit.
Prishtinë, 26 gusht 2026 (MIA)- Ushtruesja e detyrës presidente e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivie Gero, të cilin e falënderoi për angazhimin dhe bashkëpunimin gjatë mandatit të tij. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe hapat e ndërmarrë së fundi për thellimin e bashkëpunimit në drejtësi, arsim dhe zhvillim ekonomik.
Moskë - Drejtori i Agjencisë qendrore të zbulimit (CIA), Xhon Retklif, i cili dje qëndroi në Moskë, nuk u takua me presidentin rus, Vlladimir Putin, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov për RTVI. "Jo. Nuk pati tkaim me presidentin", u përgjigj Peskov në pyetjen e kanalit televiziv rus. Përjgigja e zëdhënësit të Kremlinit arriti pasi që u publikua se aeroplani me të cilin udhëtoi Retklif e braktisi Rusinë.
Harisburg - Dy persona, banorë të Pensilvanisë, ndërruan jetë pasi që u sëmurën nga fruthi, me çka janë regjistruar rastet e para të tilla të vdekjes këtë vit në SHBA, e cila po përballet me numrin më të madh të të sëmurëve nga kjo sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse në mbi tre dekada, përderisa shkalla e vaksinimit po shënon rënie. Dy personat e vdekur ishin të pavaksinaur dhe jetonin në qarkun Lankaster, kumtoi Ministria e Shëndetësisë e Pensilvanisë të martën. Ministria nuk kumtoi hollësi të tjera, duke iu referuar mbrojtjes së privatësisë.
Katmandu - Përmbytjet e mëdha në Nepal shkatërruan fshatra në rajonin i cili kufizohet me Tibetin, njoftuan sot autoritetet lokale, duke paralajmëruar për një numër të madh viktimash dhe duke u bërë thirrje atyre që jetojnë në brigjet e lumenjve të kërkojnë vende më të larta. "Kemi raportime për fshatra dhe vende projektesh infrastrukturore që janë përmbytur nga uji", tha administratori i distriktit Narendra Parijar, duke shtuar se nuk kishte vlerësime të menjëhershme për viktima ose dëme materiale.
Karakas – Numri i viktimave nga tërmetet katastrofale në Venezuelë dy muaj më parë ka arritur në 6.509 persona – 71 më shumë se javën e kaluar, bën të ditur agjencia e lajmeve EFE e Spanjës. Horhe Rodrigez, kryetar i Asamblesë kombëtare të vendit, tha se 226.696 persona janë trajtuar në spitale, një rritje prej 140.338 që nga 17 gushti. Njëkohësisht janë inspektuar 60.785 ndërtesa banimi, nga të cilat 11.001 janë definuar si me rrezik të lartë.
Uashington - Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i ka pezulluar përkohësisht afatet e aplikimit për viza në të gjithë botën, si pjesë e një shtrëngimi të politikës së emigracionit. Vendimi është pjesë e një fushate të vazhdueshme të Qeverisë amerikane për ashpërsimin e politikave të emigracionit gjatë mandatit të dytë të udhëheqësit republikan në Shtëpinë e Bardhë.