• петок, 06 март 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/6 mars/2026

Shkup  - Kryeministri Hristijan Mickoski sot me telefon ka biseduar me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Shtetit Katar, Sheik Mohamed bin Abdulrahan Al-Tani. "Shpreh përkrahje për shtetin dhe mirëkuptim për ndërlikueshmërinë e situatës në Lindjen e Mesme. Gjithashtu shkëmbyem mendime mbi sfidat aktuale rajonale dhe globale, me ç'rast e theksuam rëndësinë e stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit. Bashkarisht e theksuam angazhimin tonë për përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim në interes të qytetarëve dhe ekonomive tona", ka publikuar Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk. 

Shkup  - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në pres- konferencë në të cilën informoi për risitë e parashikuara në Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencat në fushën e shëndetësisë, me të cilat po bëhet një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të sistemit shëndetësor. "Me këtë zgjidhje ligjore, e cila këto ditë do të publikohet në ENER, tejkalohen kufizimet e deritanishme në sistemin e evidencave shëndetësore dhe mundësohet mbajtja e tyre plotësisht në mënyrë elektronike përmes sistemit kombëtar të evidencave elektronike në shëndetësi “Termini im”. Kjo do të thotë se dokumentacioni mjekësor, udhëzimet për specialistë, recetat, raportet dhe regjistrat do të mbahen në mënyrë digjitale, ndërsa dokumentacioni në letër do të përdoret vetëm në situata të jashtëzakonshme, si zgjidhje e përkohshme në rast të ndërprerjes së sistemit. Një nga risitë kryesore është rregullimi i Dosjes Elektronike Shëndetësore për çdo pacient, e cila do të jetë burimi qendror i të gjitha të dhënave shëndetësore – nga kontrollet dhe rezultatet deri te udhëzimet, recetat dhe shërbimet e telemjekësisë", theksoi ministri Aliu.

Shkup  - Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në Podgoricë zhvilloi një takim dypalësh me ministrin e Drejtësisë të Malit të Zi, Bojan Bozhoviq, në të cilin, siç informojnë nga kabineti i tij, u konfirmua angazhimi i fortë i të dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe zbatimit të reformave në sistemin gjyqësor, në kontekstin e procesit të integrimit evropian. Vëmendje e veçantë iu kushtua promovimit të bashkëpunimit dypalësh midis Malit të Zi dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u vlerësua se marrëdhëniet midis dy vendeve karakterizohen nga miqësia, besimi i ndërsjellë dhe mbështetja e vazhdueshme në fushat me interes të përbashkët.

Shkup  - Ministria e Transformimit Digjital po i finalizon aktivitetet për harmonizim me rregulloren evropiane për vënien e modelit "Roaming si në shtëpi" me Bashkimin Evropian dhe paralelisht, po ngrihet çështja e precizimit të kornizës ligjore për influencuesit dhe krijuesit e përmbajtjes, deklaroi sot ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski. Ai konfirmoi se dy javë më parë Komisioni Evropian zyrtarisht hapi procesin për të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, duke vënë në dukje se secila prej tyre do të duhet të përmbushë individualisht kushtet para se të fillojë negociatat dypalëshe. Ministri tha se pret që Maqedonia të jetë vendi i parë në rajon e cila do të përmbushë të gjitha kriteret, pas së cilës do të mund të hyjë në negociata me Komisionin Evropian e cila do të veprojë si ndërmjetës para operatorëve evropianë të telekomunikacionit.

Shkup  - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misjallovski sot u takua me Karl Ford, drejtor për planifikim të mbrojtjes në Aleancë dhe udhëheqës i ekipit të NATO-s që është pjesë e bisedimeve të rregullta vjetore bilaterale për mbrojtjen midis NATO-s dhe Maqedonisë. "Vazhdojmë të investojmë në Armatë, për të forcuar gatishmërinë e saj luftarake dhe për të përmbushur objektivat e aftësive të NATO-s. Me një Armatë të fortë, ne gjithashtu kontribuojmë në forcimin e sigurisë kolektive të Aleancës. Në kohë sfidash gjeopolitike globale, uniteti dhe aleanca janë mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë e rajonit dhe zonën euroatlantike", njoftoi Misajllovski në profilin e tij në Fejsbuk. 

Shkup - Me ndërrimin e pushtetit, edhe ekonomia është përmirësuar - në dy tremujorët e parë të vitit 2024, rritja mesatare e PBB-së ishte 2,3 përqind, ndërsa në dy tremujorët e ardhshëm 3,6 përqind. Nuk e them këtë rastësisht. Në tremujorin e fundit patëm rritje prej 3,8 përqind, ose dy tremujorë radhazi prej 3,8 përqind, që tregon se me ndërrimin e pushtetit, ekonomia pret sinjale pozitive nga Qeveria. Kjo është konfirmuar në këto më shumë se një vit e gjysmë me faktin se në tremujorin e fundit kemi rritje prej 3,8 përqind, që është më shumë se rritja mesatare që patëm në dy tremujorët e parë të ndërrimit të pushtetit, tha sot ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në panelin "Rritja e Ekonomisë - Siguria Ekonomike e Qytetarëve" që u mbajt në Qeveri.

Shkup - Të dhënat për rritje në ndërtimtari prej 14,6 për qind në tremujorin e fundit të vitit të kaluar janë shumë inkurajuese, japin një sinjal të fortë për ekonominë, sigurinë, por edhe një nxitje për investime të ardhshme, që do të kontribuojë për një rritje edhe më të madhe të PBB-së në periudhën e ardhshme, vlerësoi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski në panel diskutimin "Rritja e ekonomisë - siguria ekonomike e qytetarëve", që mbahet sot në Qeveri. Sipas tij, të dhënat për rritjen në ndërtimtari  prej 21 për qind në tremujorin e tretë dhe 14,6 për qind në tremujorin e katërt të vitit të kaluar janë numra fantastike si rezultat, siç tha, i faktit që sektori privat u inkurajua të investojë për shkak të normave të favorshme të interesit përmes linjave të kredisë nga Hungaria, investimeve në komunat  të cilat kryesisht janë dotacione nga Qeveria  filluan shumë projekte infrastrukturore, si dhe projekteve të mëdha infrastrukturore të shtetit.

Shkup  – Përsëri fillon funksionimi i tubacionit “Vardaks”. Fillimi i operacioneve ndodh pas përfundimit dhe verifikimit adekuat të të gjithë kërkesave të nevojshme teknike, operative dhe rregullatore, informojnë nga SHA VARDAKS.  Prej atje ju bëjnë thirrje të gjitha kompanive të kualifikuara tregtare të cilat duan të bashkëpunojnë dhe ta shfrytëzojnë tubacionin, të informohen për procedurat të cilat janë në dispozicion në ueb-faqen e kompanisë. Tubacioni nga Selaniku deri në Shkup ishte lëshuar në funksion në vitin 2002 për transmetim të naftës së papërpunuar, ndërsa pas vitit 2013 ishte mjet i investimeve për ridedikim të tij në infrastrukturën për transport të karburanteve dizel. 

Shkup  - Nëse i krahasojmë shifrat e vitit 2025 me vitin 2024 dhe vitet paraprake, mund të vërejmë një rritje serioze në industrinë përpunuese prej 3,6 për qind. Ajo që është edhe më e rëndësishme është analiza sipas tremujorëve në vitin 2025, veçanërisht në pjesën e grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore, që paraqet një nga treguesit më relevantë për sasinë e prodhimit vendor. Në tremujorin e katërt të vitit 2025, blerja dhe shitja e produkteve bujqësore arriti në rreth 12,5 miliardë denarë, që është 15 për qind më shumë në krahasim me vitin 2024. Një trend i ngjashëm pozitiv është vërejtur edhe në tremujorët e tjerë, që do të thotë se prodhimi vendas në aspektin sasior është në rritje, tha sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në panel diskutimin "Rritja Ekonomike - Siguria Ekonomike e Qytetarëve" që u mbajt në Qeveri.

Shkup - Pas marrjes ë licencave për kultivimin e marijuanës nga gjashtë kompani, edhe tre kompanive të tjera do t'u merren licencat në periudhën e ardhshme, ndërsa e katërta është duke u analizuar, zbuloi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili po përgjigjej në një pyetje në lidhje me shkallën e analizave dhe inspektimeve në kompani të tilla. "Deri më tani, 23 kompani janë ndjekur penalisht, deri më tani tre prej tyre janë të sigurt se do t'u hiqet licenca. E katërta është duke u analizuar", tha Aliu. Më herët, më 24 shkurt, ministri Aliu informoi në një konferencë për shtyp se gjashtë kompanive iu hoqën licencat, katër prej të cilave ishin pjesë e skandalit të kontrabandës së marijuanës.

Shkup  - Situata është absolutisht në rregull dhe ne po e përcjellim atë. Nuk ka asnjë problem dhe nuk ka nevojë të krijohet panik tek qytetarët se nuk do të ketë naftë, tha sot ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas panelit për rritjen ekonomike në Qeveri, Dimitrieska-Koçoska informoi se dje në Ministri është mbajtur një takim me kompanitë e naftës dhe asnjëra prej tyre nuk tha, siç tha ajo, se ka ndonjë problem me furnizimet me naftë. Inspektorët në lidhje me çmimet dhe rritjet e mundshme të çmimeve, theksoi ajo, janë në terren. Më shumë se 100 stacione benzine janë vizituar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut gjatë një dite.

Shkup  - Filmi i animuar edukativ "Kliko i sigurt", i krijuar si një projekt i përbashkët i nxënësve dhe mësimdhënësve me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të internetit, u shfaq sot në mënyrë promovuese në Shtëpinë "Biljana Beliçanec" në Komunën e Kisella Vodës. Filmi, me kohëzgjatje prej 15 minutash, është prodhuar në kuadër të projektit MKSafeNet - Qendra për Internet më të Sigurt, të zbatuar nga Ministria e Transformimit Dixhital, dhe është i destinuar për fëmijë deri në 15 vjeç. Ministri Andonovski në promovim theksoi se filmi është pjesë e aktivitetit më të ri në kuadër të Muajit të Internetit më të Sigurt.

Shkup – Gruaja rome në vend nuk përballet vetëm me diskriminim të thjeshtë, por me diskriminim të shumëfishtë dhe për këtë peshën të cilën e mban në supet e saja është, jo vetëm pse është grua, por sepse është edhe rome, dhe sepse jeton në varfëri. Raporti i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) për periudhën 2022-2024 tregon fakte shqetësuese në sferën e marrëdhënieve të punës ndaj romeve, sipas të cilit vetëm 8 për qind e romeve janë të punësuara, ndërsa shumica e tyre përballen me diskriminim në vendin e punës. 

Dibër  - Ambasadori i Shqipërisë në vend, Denion Mejdani, organizoi një takim të veçantë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fëmijët nga biblioteka "Linkest" në Manastir. "Takimi u zhvillua në kuadër të promovimit të gjuhës dhe kulturës shqipe jashtë vendit. Fëmijët patën mundësinë të ndanin përvojat e tyre dhe të flisnin për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe dhe leximin e librave në gjuhën shqipe", raportuan mediat shqiptare. Në takim, Mejdani theksoi "rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si një element thelbësor i identitetit kombëtar".

Nikozi  – Pas sulmit me dron ndaj bazave britanike pranë Limasolit, në Pallatin presidencial në Nikozi u hap Pres qendër me qëllim informimin e shpejtë dhe në kohë të gazetarëve dhe publikut e cila funksionon çdo ditë për gazetarët nga mediat qipriote dhe të huaja, raporton korrespondentja e MIA. Pres qendra funksionon gjatë gjithë ditës, ndërsa zëdhënësi i qeverisë së Qipros, Konstantinos Letibiotis, mban takime informuese, një ose më shumë herë në ditë, varësisht nga rrjedha e ngjarjeve. 

Moskë - Rusia dhe Ukraina sot shkëmbyen të burgosurit e luftës në një format 300 për 300, publikoi Ministria ruse e Mbrojtjes.  Mediat ruse publikuan se ushtarët rusë të liruar ndodhen aktualisht në territorin e Bjellorusisë, ku po marrin ndihmën e nevojshme psikologjike dhe mjekësore. Ata theksojnë se më pas do të dërgohen në Rusi për mjekim dhe rehabilitim në institucionet mjekësore të Ministrisë së Mbrojtjes. Rusia dhe Ukraina dhe dje shkëmbyen 200 të burgosur lufte, kujtoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Teheran  - Forcat e armatosura të Iranit bënë të ditur se kanë sulmuar një anije cisternë nafte në bregun e Kuvajtit. Anija, e përshkruar si "në pronësi të ShBA-së", u godit dhe u përfshi nga flakët, raportoi radioja shtetërore, duke cituar komandën qendrore. Sipas të njëjtit burim, sulme me raketa të avancuara u kryen përsëri ndaj caqeve në Izrael dhe ndaj pozicioneve të SHBA-së në shtetet e Gjirit Persik. Ndër armët e përdorura ishte raketa Khorramshahr-4, e cila mban një kokë luftarake që peshon rreth dy tonë, thuhet në raport. 

 Jerusalem - Izraeli sot bombardoi përsëri kryeqytetet e Iranit dhe Libanit, Teheranin dhe Bejrutin, ndërsa ShBA sulmuan një transportues dronësh iranianë. Armata izraelite njoftoi më parë se bombardimi i sotëm ishte fillimi i një "vale sulmesh të mëdha" ndaj Teheranit dhe shtoi se pjesa më e madhe e mbrojtjes ajrore të Iranit ishte shkatërruar. Në Liban, armata izraelite sulmoi caqe të Hezbollahut, aleat i Iranit. Irani, gjithashtu,  ka lëshuar raketa ndaj vendeve fqinje, ku ka baza ushtarake amerikane.

Teheran – Televizioni shtetëror iranian të martën e quajti reprezentacionin e futbollit të femrave “tradhtarë të luftës” pasi futbollistet nuk e kënduan himnin kombëtar para ndeshjes së tyre të Kupës së Azisë kundër Koresë së Jugut në Australi më herët këtë javë. Irani po garon në turneun kontinental në një kohë kur konflikti ushtarak në vend po përshkallëzohet, pasi SHBA dhe Izraeli nisën sulme ajrore gjatë fundjavës, ku jetën e humbi lideri suprem i Republikës Islamike, Ali Hamnei.

Baku  - Azerbajxhani i tërheq diplomatët e vet nga Irani për shkak të sigurisë, deklaroi sot ministri azerbajxhanas i Punëve të Jashtme, Xhejhun Bajramov. Vendimi vijon një ditë pas kumtesës së lëshuar nga Baku se katër dronë iranianë e kanë kaluar kufirin dhe me këtë rast janë lënduar katër persona në enklavën Nahiçevan. Bajramov konfirmoi se Azerbajxhani ka filluar me evakuimin e të punësuarve nga Ambasada në Teheran dhe nga Konsulli i përgjithshëm në Tabriz.

Остани поврзан