MIA dhe KQZ në Bullgari: Zgjedhje të qeta, pjesëmarrja deri në ora 11 është 12,12 për qind (FOTO)
- Dita e zgjedhjeve në Bullgari po zhvillohet qetë, janë raportuar parregullsi të vogla. Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 11:00 është 12.12 për qind.
Sofje, 19 prill 2026 (MIA) - Dita e zgjedhjeve në Bullgari po zhvillohet qetë, janë raportuar parregullsi të vogla. Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 11:00 është 12.12 për qind.
Zëvendëskryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Rosica Mateva në konferencën për shtyp në Kuvendin Popullor deklaroi se pjesëmarrja e votuesve është më e lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2024, kur deri në orën 11:00 kanë votuar 9,55 për qind e votuesve të regjistruar.
"Aktualisht, jehona e votuesve është më e lartë se në zgjedhjet e mëparshme për Kuvendin Popullor. Shpresoj që kjo të jetë një shenjë e mirë dhe se më shumë qytetarë do të dalin të votojnë", tha Mateva.

Ndryshe, deri në orën 11:00 në KQZ kanë arritur 82 raportime nga qytetarë dhe përfaqësues të partive politike dhe koalicioneve, nga të cilat 53 tashmë janë përpunuar. Pjesa tjetër është në proces të përpunimit.
Numri më i madh i raporteve lidhen me mungesën e kabinave të votimit, si dhe me faktin se ka një numër njerëzish që duan të votojnë me makinë, por po inkurajohen të votojnë me fletë votimi në letër.
Mateva tha se votuesi zgjedh se si të votojë dhe se komisionet rajonale zgjedhore nuk kanë të drejtë të inkurajojnë njerëzit të votojnë me fletë votimi në letër. U mor vetëm një raport për blerje votash dhe iu përcoll menjëherë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për 36 makina, komisionet rajonale zgjedhore vendosën të pezullojnë votimin me makina.
Në një deklaratë për MIA-n, një votuese, e pyetur se çfarë pret nga zgjedhjet, u përgjigj kategorikisht: "Asgjë".

"Me veshje të vjetra nuk mund të priten gjëra të reja", deklaroi gruaja e cila në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja "Sveti kliment Ohridski" në qendër të qytetit, priste gtë votonte anëtarët e tjerë të familjes së saj.

"Votova sepse dua ndryshim dhe stabilitet në vend. Pres që qeveria e ardhshme të përqendrohet në ekonomi, sepse tani, pas ndryshimit të levit në euro, është vërtet shumë e shtrenjtë", na tha një banor i moshuar i Sofjes, i cili ishte ulur me miqtë në një kafene pranë ndërtesës së Qeverisë.
Bullgarët po votojnë sot për zgjedhjen e përbërjes së 52-të të Kuvendit popullor. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të drejtë vote kanë 6.575.151 qytetarë.
Në garën zgjedhore po marrin pjesë 24 parti politike dhe koalicione. Gjithsej 4.786 kandidatë po garojnë për 240 vende parlamentare. Nga këta, 1.440 janë gra, ndërsa 3.343 janë burra.

Në tërë vendin janë hapur rreth 12.000 vendvotime, me qëllim që qytetarëve t'u mundësohet qasja e lehtë për votim. Në 9.354 vendvotime votimi po kryhet me ndihmën e makinave dhe fletëvotimeve të letrës, ndërsa në 3.367 vendvotime do të votohet vetëm me fletëvotime të letrës.
Votojnë edhe bullgarët jashtë vendit, në 493 vendvotime në 55 shtete. Siç kumtoi MPJ bullgare, votimi për përbërjen e re të Kuvendit kombëtar jashtë vendit filloi mbrëmë në orën 22 sipas kohës bullgare, ndërsa do të prëfundojë në orën 6 të mëngjesit, të hënën më 20 prill.
Këto zgjehdje janë pjesë e serisë së votimeve të shpeshta parlamentare në vitet e fundit, që e reflekton destabilitetin dhe skenën e ndryshueshme politike në vend. Qytetarët sërish kanë mundësi ta japin votën e tyre dhe të ndikojnë në përbërjen e ardhshme të parlamentit dhe kahjen në të cilën do të lëvizë vendi në periudhën e ardhshme.
Rezultatet zyrtare do të shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjerdhjeve të Bullgarisë, katër ditë pas votimit, më 23 prill. mb/
Foto: МIА







