• вторник, 01 април 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mesazhi i kreut të BFI-së, Shaqir ef. Fetai me rastin e Fitër Bajramit

Mesazhi i kreut të BFI-së, Shaqir ef. Fetai me rastin e Fitër Bajramit

Shkup, 29 mars 2025 (MIA)- Me rastin e Fitër Bajramit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir ef. Fetai ka dërguar mesazhin e Bajramit.

Sipas kreut të BFI-së, le të jetë kjo festë një mundësi për të forcuar lidhjet tona me të tjerët, për të shprehur dashuri dhe respekt për familjet tona, për të shtrirë dorën e pajtimit dhe për të kujdesur për ata që kanë nevojë.

"Nesër është dita e Fitër Bajramit, ditë e cila është festë gëzimi dhe krenarie për besimtarët që me angazhim dhe devotshmëri, përmbushën obligimet e muajit të Ramazanit, duke përfshirë agjërimin dhe ibadetet e tjera. Sot ndahemi nga muaji i bekuar i Ramazanit, për çka e falënderojmë Zotin e Madhërishëm që na mundësoi ta përjetojmë këtë muaj të shenjtë, ku dëshmuam se agjërimi është një obligim hyjnor, është një akt i forcës së besimit dhe vetëdijes për përkushtimin ndaj Zotit", thuhet në urimin e Fetait.

Gjatë këtij muaji, shton mes tjerash ai, "zemrat tona u mbushën me besim dhe dije, ngritëm moralin, respektin, solidaritetin, humanitetin, tolerancën dhe paqen". Ky muaj na inkurajoi që të punojmë për një të ardhme të qetë, të ndritur dhe pozitive, thekson ai.

"Për besimtarin, festa e Fitër Bajramit është kulmi i këtyre përpjekjeve dhe një ditë e madhe gëzimi. Është dita e fitores së besimit mbi mosbesimin, e fitores së të mirës mbi të keqen, e fitores së dijes mbi injorancën, e fitores së paqes mbi luftën, e fitores së solidaritetit mbi ndarjen, e fitores së respektit mbi urrejtjen, dhe e fitores së njerëzores mbi jonjerëzoren. Fitër Bajrami është një ditë e veçantë, një ditë që shpreh falënderimin tonë të thellë për përkushtimin ndaj Zotit të Madhërishëm. Pra, le të jetë kjo festë një mundësi për të forcuar lidhjet tona me të tjerët, për të shprehur dashuri dhe respekt për familjet tona, për të shtrirë dorën e pajtimit dhe për të kujdesur për ata që kanë nevojë", thuhet në urimin e Reisul-Ulema H.Hfz. Shaqir ef. Fetai. 

Video: Bashkësia Fetare Islame

Остани поврзан