Mediat në Australi: Sulmin e përgjakshëm në plazhin Bondi e kanë kryer Saxhid dhe Navid Akram
- Mediat lokale i publikuan emrat e dy sulmuesve ndaj komunitetit hebre në plazhin Bondi në Sidnei, Australi, duke thënë se sulmin e kanë kryer Saxhid dhe Navid Akram, babë e bir, publikoi Bi-Bi-Si.
Sidnei, 15 dhjetor 2025 (MIA) - Mediat lokale i publikuan emrat e dy sulmuesve ndaj komunitetit hebre në plazhin Bondi në Sidnei, Australi, duke thënë se sulmin e kanë kryer Saxhid dhe Navid Akram, babë e bir, publikoi Bi-Bi-Si.
Babai (50) është vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa djali (24) është në spital, në gjendje kritike, pasi dje pasdite sipas kohës lokale kanë kryer një sulm të armatosur në plazhin Bondi duke vrarë 16 persona të cilët festonin festën hebraike Hanuka, duke përfshirë edhe një vajzë 10-të vjeçare, ndërsa më shumë se 40 persona u dërguan në spital.
Ej-Bi-Si australian publikoi se Navid Akram, i lindur në Australi, paraprakisht është pyetur për lidhjet e tij të ngushta me celulën terroriste të Shtetit Islamik (SHI) me seli në Sidnei, dhe se policia për luftë kundër terrorizmit beson se sulmuesit i janë betuar në besnikëri këtij grupi terrorist.
Policia beson se sulmin e kanë planifikuar në një objekt me qira për një kohë të shkurtër, rreth 30 minuta vozitje nga plazhi Bondi.
Saxhid Akram mbërriti në Australi me vizë studentore në vitin 1998, e cila në vitin 2001 u shndërrua në vizë partneriteti, ndërsa më vonë në vizë për kthim të banorit. Ai kishte leje për armë për gjueti rekreative dhe ishte anëtar i një klubi të qitjes.
Djali i tij, Navid Akram, për herë të parë e ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve në tetor të vitit 2019, por kryeministri australian Entoni Albaneze sot tha se "në atë kohë është bërë vlerësimi se nuk ka indikacione për çdo lloj kërcënimi aktual se do të përfshihet në dhunë".
Policia fillimisht e ka hetuar mundësinë se ka pasur edhe sulmues të tretë, por më vonë publikoi se ishin vetëm ata dy. sa/
Foto: X