Maskerano jep dorëheqje nga posti i trajnerit te Inter Majami
- Inter Majami bëri të ditur se trajneri kryesor Havier Maskerano ka dhënë dorëheqje.
Majami, 15 prill 2026 (MIA) - Inter Majami bëri të ditur se trajneri kryesor Havier Maskerano ka dhënë dorëheqje.
Argjentinasi 41-vjeçar njoftoi se po largohet nga klubi për arsye personale.
"Dua t'i informoj të gjithë se, për arsye personale, kam vendosur të jap dorëheqje si trajner kryesor i Inter Majamait. Para së gjithash, dua të falënderoj klubin për besimin e dhënë, të gjithë në organizatën për përpjekjet e tyre kolektive dhe veçanërisht lojtarët që na kanë dhënë momente të paharrueshme. Do ta ruaj përgjithmonë kujtimin e yllit tonë të parë dhe kudo që të jem, do të vazhdoj t'i uroj klubit gjithë të mirat. Nuk kam dyshim se klubi do të vazhdojë të arrijë suksese", thuhet në komunikatën e Maskeranos të publikuar në ueb faqen e klubit të Inter Majamit.
Maskerano është në krye të Inter Majamit që nga janari 2025. Nën udhëheqjen e tij, ekipi fitoi Konferencën lindore dhe Kupën MLS sezonin e kaluar.
Foto: EPA