Maqedonia dhe Kazakistani nënshkruan dy marrëveshje për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik
- Një marrëveshje për themelimin e këshiillit të biznesit midis Maqedonisë dhe Kazakistanit dhe një memorandum për promovimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik u nënshkruan sot nga Maqedonia dhe Kazakistani në forumin e biznesit që u mbajt në Odën Ekonomike. Qëllimi i dy dokumenteve bilaterale është forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe rritja e shkëmbimit tregtar.
Shkup, 20 prill 2026 (MIA) - Një marrëveshje për themelimin e këshiillit të biznesit midis Maqedonisë dhe Kazakistanit dhe një memorandum për promovimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik u nënshkruan sot nga Maqedonia dhe Kazakistani në forumin e biznesit që u mbajt në Odën Ekonomike. Qëllimi i dy dokumenteve bilaterale është forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe rritja e shkëmbimit tregtar.

Në nënshkrim morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, dhe ministri i Tregtisë dhe Integrimeve i Kazakistanit, Arman Shakaliev.
Shakaliev, i cili më herët pati takim me nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë, Timço Mucunski, theksoi se Kazakistani është i hapur për mbështetjen e projekteve dhe iniciativave investuese.

"Bashkëpunimi midis Kazakistanit dhe Maqedonisë bazohet në interes të përbashkët. Shkëmbimi aktual është modest, por ekzistojnë mundësi të mëdha për rritjen e tij. Potencial të madh shohim në bujqësi, zgjidhje digjitale, logjistikë dhe industri. Maqedonia ka një pozicion gjeografik strategjik dhe përfaqëson një lidhje shumë të rëndësishme që mundëson lidhjen me Ballkanin dhe qasje në tregjet e Evropës Juglindore. Ne mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve të biznesit përmes thjeshtimit të procedurave, ndërsa një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është krijimi i këshillit të biznesit, i cili do të promovojë dialog të drejtpërdrejtë mes komuniteteve të biznesit të dy vendeve", theksoi Shakaliev.
Sipas Dimitrovskit, dy dokumentet e rëndësishme të nënshkruara sot përbëjnë arkitekturë institucionale, e cila do t’i japë një kornizë të fortë partneritetit të ardhshëm bilateral.

"Dy vendet tona mund të jenë gjeografikisht të largëta, por na bashkojnë aspiratat e përbashkëta – rritja ekonomike, inovacionet dhe prosperiteti për qytetarët tanë. Shteti ynë është etabluar jo vetëm si një destinacion i sigurt dhe tërheqës për investime të huaja, por njëkohësisht edhe si platformë për qasje në tregun evropian. Me një mjedis të qëndrueshëm makroekonomik, politika tatimore konkurruese dhe një pozicion strategjik në Ballkan, ekonomia jonë ofron mundësi të qëndrueshme në prodhimin industrial, teknologjitë e larta, energjetikë, IT, bujqësi dhe logjistikë. Veçanërisht jemi krenarë për përparimin tonë në transformimin digjital dhe energjinë e gjelbër, fusha në të cilat bashkëpunimi me partnerët kazakë mund të sjellë përfitime të ndërsjella të konsiderueshme. Njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm për nevojat tona. Ne jemi një importues i rëndësishëm i energjisë, ndërsa politikat tona janë të orientuara drejt diversifikimit të importit energjetik. Kazakistani, si një nga eksportuesit kryesorë botërorë të energjisë, përshtatet natyrshëm në këtë orientim strategjik. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për përputhshmëri, por për një përshtatje të qartë strategjike midis dy vendeve", theksoi zëvendësministri.
Ai rikujtoi se para një viti ministrat Mucunski dhe Shakaliev në Astana diskutuan për mundësitë, ndërsa sot ato mundësi tashmë po konkretizohen.

Në forumin e biznesit u drejtua edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike, Antoni Peshev, i cili tha se Maqedonisë, ashtu siç i nevojitet integrimi evropian, po aq i nevojiten edhe miq në mbarë botën. Peshev edhe në këtë rast theksoi rëndësinë e eksportit.
"Maqedonia duhet të mësohet me tregje të mëdha. Nuk duhet të na frikësojnë tregjet e mëdha dhe potencialet ekonomike; përkundrazi, kjo duhet të na shërbejë si motiv se si të nxjerrim maksimumin – theksoi Peshev. ls/
Foto: MIA