• вторник, 21 април 2026

Lirohen karburantet

Lirohen karburantet

Shkup, 20 prill 2026 (MIA) - Çmimet maksimale me pakicë të disa derivateve të naftës do të ulen për 1,5 denarë për litër nga sonte në mesnatë, vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime të Menaxhimit të Mbeturinave Komunale (KRRE). Me vendimin bëhet ulje e çmimeve me pakicë me një mesatare prej 2,13 për qind.

Çmimi i ri maksimal i shitjes me pakicë i EUROSUPER BS - 95 është 80,5 denarë për litër, EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 82,5, ndërsa EURODIZEL BS (D-E V) për 94 denarë për litër. 

Me vendimin e KRRE-së çmimi i shitjes me pakicë i Vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) rritet për 0,5 denarë për litër dhe do të jetë 97 denarë, përderisa çmimi i shitjes me pakicë i Mazutit M-1 NS ulet për 2,939 denarë për kilogram dhe do të jetë 46,288 denarë. 

Nga KRRE-ja theksojnë se çmimet referuese të derivateve të naftës në tregun botëror, krahasuar me llogaritjen e mëparshme, janë ulur mesatarisht me 1,806 për qind për benzinën, 9,605 për qind për naftën, 8,205 për qind për vajin ekstra të lehtë dhe 6,515 për qind për mazutin. Kursi i këmbimit të denarit kundrejt dollarit, me të cilin u formuan çmimet me llogaritjen e mëparshme, është më i ulët për 1,1582 për qind.

Ata theksojnë se vendimi për përcaktimin e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës përfshin normën preferenciale të TVSH-së prej 10 për qind (përveç fraksioneve të naftës për karburant dhe dizelit) dhe akcizat e reduktuara për eurodizelin prej 4 denarë dhe 2 denarë për litër për fraksionet e benzinës, dhe theksojnë se shitësit me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës dhe karburanteve për transport mund të përcaktojnë çmimet e derivateve individuale të naftës dhe karburanteve për transport më të ulëta se çmimet më të larta të përcaktuara.

Në pjesën më të madhe të pompave të benzinës në vend dizeli shitet për tre denarë më i ulët nga çmimi maksimal i përcaktuar nga KRRE, ndërsa benzinat për dy denarë. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

Остани поврзан