Limani: Problemi me transportin e nxënësve në Gostivar do të duhet të zgjidhet bashkë me MASH-in
- Një nga kompanitë që transportojnë nxënës në komunën e Gostivarit kërkon që të paguhen borxhet e papaguara, në mënyrë që të vazhdojë me transportin, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani dhe thekson se Ministria e Arsimit do të duhet të përfshihet në tejkalimin e situatës.
Gostivar, 12 mars 2026, (MIA) – Një nga kompanitë që transporton nxënës në komunën e Gostivarit kërkon që të paguhen borxhet e papaguara, në mënyrë që të vazhdojë me transportin, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani dhe shtoi se Ministria e Arsimit do të duhet të përfshihet në tejkalimin e situatës.
Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në lidhje me problemin me transportin e nxënësve, ai vlerësoi se situata është e pafavorshme. Një nga operatorët e ka ndërperë shërbimin për shkak të borxheve të papaguara që komuna e Gostivarit ka ndaj tyre.
"Po hasim në pengesa në metodën e financimit nga pushteti qendror. Bllok- dotacionet që ndan shteti shpenzohen tërësisht për pagat e mësimdhënësve dhe qeveritë lokale detyrohen të mbulojnë vetë kostot e mbetura, siç janë energjia elektrike, ngrohja dhe transporti i nxënësve. Kjo është një barrë e rëndë financiare e cila i kushton komunës së Gostivarit më shumë se një milion euro në vit, një shumë që buxheti lokal nuk mund ta përballojë", tha Valbon Limani, kryetar i komunës së Gostivarit.
Ai theksoi se ndërkohë ka pasur takime me personat përgjegjës në MASH dhe është shqyrtuar një masë tjetër, përkatësisht optimizimi i stafit mësimdhënës. Limani tha se kjo do të thotë largimi i një numri të konsiderueshëm mësimdhënësish, një zgjidhje që ai e vlerësoi si më të dhimbshme se problemi momental.
Limani tha se do të vazhdojnë bisedimet me MASH-in për të gjetur një zgjidhje që do të sigurojë transport për nxënësit, pa rrezikuar vendet e punës së arsimtarëve. Nxënësit nga zona e qytetit që studiojnë në katër shkolla të mesme dhe katër shkolla fillore po përballen kryesisht me problemin e transportit. Nxënësit nga vendbanimet më të largëta për momentin po e përdorin transportin.
Foto: MIA