Lashkoska në Tiranë: Bashkëpunimi rajonal çelësi për shndërrimin e politikave klimatike në zgjidhje konkrete
- Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, mori pjesë në panelin e nivelit të lartë “Të Bashkuar për klimën – Veprimi për përshtatje dhe bashkëpunimi rajonal”, i cili po mbahet në Tiranë, i organizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor e Shqipërisë dhe GIZ, në kuadër të Partneritetit rajonal për klimën mes Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor, informojnë nga MMJPH.
Tiranë, 5 maj 2026 (MIA) - Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, mori pjesë në panelin e nivelit të lartë “Të Bashkuar për klimën – Veprimi për përshtatje dhe bashkëpunimi rajonal”, i cili po mbahet në Tiranë, i organizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor e Shqipërisë dhe GIZ, në kuadër të Partneritetit rajonal për klimën mes Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor, informojnë nga MMJPH.
Në konferencë marrin pjesë ministrat përgjegjës për politikat klimatike nga rajoni, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë, me qëllim forcimin e dialogut politik dhe koordinimit në përballimin e sfidave klimatike.
"Paneli i nivelit të lartë përfaqëson një platformë të rëndësishme për lidership dhe bashkëpunim, që synon avancimin e agjendës rajonale – nga planifikimi te zbatimi dhe nga qasjet individuale te veprimi i koordinuar dhe i përbashkët. Në fokus të diskutimit ishte çështja se si rajoni mund t’i shndërrojë detyrimet për adaptim në zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme, përmes bashkëpunimit të forcuar rajonal dhe një qasjeje të koordinuar", thuhet në kumtesën e Ministrisë.

Në fjalimin e saj, Lashkoska iu referua aktiviteteve të vazhdueshme të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor drejt krijimit të një kuadri funksional për përshtatjen e sektorëve më të prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal është një instrument thelbësor për ballafaqimin me rreziqet e përbashkëta klimatike.
"Vetëm përmes një qasjeje të koordinuar rajonale mund të ndërtojmë sisteme rezistente dhe të sigurojmë mbrojtje afatgjatë për qytetarët dhe ekonomitë tona”, theksoi Lashkoska.
Bashkëpunimi rajonal, siç u tregua, mundëson avancimin e njohurive përmes shkëmbimit të përvojave dhe metodologjive, por gjithashtu hap mundësi të reja për qasje në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë për mbështetjen e politikave klimatike.
Në këtë drejtim, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e përkushtuar për thellimin e partneriteteve rajonale dhe harmonizimin me standardet evropiane, me një qëllim të qartë - transformimin e politikave klimatike në rezultate konkrete që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe sigurojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe rezistente. qa/
Foto: MMJPH