Lafçiski dhe Nufi konfirmuan marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë
- Shefi i Shtatmadhorisë së Armatës së Maqedonisë së Veriut, gjeneral-major Sashko Lafçiski në kuadër të vizitës treditore në Shqipëri, sot ka realizuar takim me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufin.
Tiranë, 12 maj 2026 (MIA) - Shefi i Shtatmadhorisë së Armatës së Maqedonisë së Veriut, gjeneral-major Sashko Lafçiski në kuadër të vizitës treditore në Shqipëri, sot ka realizuar takim me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufin.
"Gjatë takimit, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë për Korridorin 8, si një hap kritik për lëvizshmërinë ushtarake dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Është shprehur vlerësimi i përbashkët se të dy vendet kanë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe, si aleatë të NATO-s, janë të përkushtuar për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë kontinentin evropian", njofton ATSH.
Ministri Nufi, duke u ndalur te mjedisi i ndërlikuar i sigurisë dhe sfidat e kohës, theksoi nevojën për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak mes forcave të armatosura të Shqipërisë dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se Shqipëria qëndron fuqishëm krah për krah me aleatët dhe partnerët e saj strategjikë.
"Si aleatë të NATO-s, kemi konfirmuar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me qëllim ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë", deklaroi Nufi.

Gjatë takimit mes delegacionit të Maqedonisë së Veriut dhe nikoqirëve, u theksua se të dy vendet vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë aktive në iniciativat rajonale të sigurisë dhe të mbështesin objektivat strategjike të NATO-s, ndërsa u nënvizua se bashkëpunimi i ngushtë rajonal mbetet thelbësor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Aktualish, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të NATO-s, si dhe përmes iniciativave rajonale si SEDM-SIBIRG, nisma SHBA-Karta e Adriatikut (A-5) etj.

Lafçiski po qëndron në Shqipëri me ftesë të homologut të tij shqiptar, gjeneral-nënkolonelit Arben Kingji, me të cilin kanë biseduar për avancimin e bashkëpunimit ushtarak dypalësh, shkëmbimin e përvojave, forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal e kolektiv, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në menaxhimin e krizave. Gjatë vizitës, e cila përfundon nesër, gjenerali Lafçiski do ta vizitojë edhe Regjimentin e operacioneve speciale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ku do të marrë pjesë në një demonstrim të disa prej aftësive të tyre.
Vizita e delegacionit të armatës së Maqedonisë së Veriut përbën një konfirmim të bashkëpunimit të shkëlqyer dhe marrëdhënieve partnere mes dy armatave, si dhe të përkushtimit të përbashkët për të kontribuar në sigurinë kolektive në kuadër të NATO-s. qa/
Foto: Nufi në Fejsbuk