Kuvendi miratoi disa ligje me procedurë të shkurtuar, debati për shtetësinë e deputetëve u anulua
- Kuvendi, në seancën e sotme të 98-të, miratoi disa zgjidhje legjislative me procedure të shkurtuar, duke përfshirë ndryshime në ligjet për lëndët e para minerale, për koncesionet dhe partneritetin publik-privat, për ndërmarrjet publike dhe për lundrimin e brendshëm. Debati për ndryshimet në Ligjin për deputetët, të cilat përcaktojnë që kandidatët duhet të kenë ekskluzivisht shtetësi maqedonase, u anulua pas ndërprerjes së seancës.
Shkup, 29 prill 2026 (MIA) - Kuvendi, në seancën e sotme të 98-të, miratoi disa zgjidhje legjislative me procedure të shkurtuar, duke përfshirë ndryshime në ligjet për lëndët e para minerale, për koncesionet dhe partneritetin publik-privat, për ndërmarrjet publike dhe për lundrimin e brendshëm. Debati për ndryshimet në Ligjin për deputetët, të cilat përcaktojnë që kandidatët duhet të kenë ekskluzivisht shtetësi maqedonase, u anulua pas ndërprerjes së seancës.
Deputetët miratuan Projekt-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për lëndët e para minerale, i cili përcakton që ndërmarrjet publike mund të marrin koncesione për hulumtime të hollësishme gjeologjike të burimeve minerale me interes publik, me pëlqimin paraprak të Qeverisë, si dhe të paraqesin një kërkesë për leje shfrytëzimi. Ligji shkaktoi debat dhe reagime në sallën plenare.
Kuvendi sot miratoi edhe Projekt-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për koncesionet dhe partneritetin publik-privat, i cili mundëson krijimin e një partneriteti publik-privat edhe me iniciativën e një partneri privat. Sipas propozuesit, qëllimi është të sigurohen burime shtesë financiare, të rritet efikasiteti, të futen inovacione dhe të ndahet rreziku në zbatimin e projekteve publike.
Me procedurë të shkurtuar janë miratuar edhe Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, me të cilin bëhen ndryshime në kushtet për zgjedhjen e drejtorëve, veçanërisht në fushën e njohjes së gjuhëve të huaja, si dhe rregullon çështjet që lidhen me përfundimin e drejtimit si pozicion mandatar. U miratua edhe Ligji për ndryshimin e Ligjit për Lundrimin e Brendshëm, i cili ka të bëjë me sqarimin teknik dhe harmonizimin e dispozitave ekzistuese.
Debati u ndërpre para pikës së fundit të rendit të ditës, e cila kishte të bënte me ndryshimet në Ligjin për deputetët, me të cilat përcaktohet kandidati për deputet që të ketë vetëm shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, e ndërpreu seancën, duke informuar se vazhdimi i saj do të caktohet më vonë.
Këtë pasdite, Kuvendi miratoi Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, me procedurë të shkurtuar, i cili do të shfuqizojë qeverinë teknike (kalimtare) pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. E ashtuquajtura Qeveri e Përzhinës u prezantua si një zgjidhje ad hok për zgjedhjet e vitit 2016 dhe si një mekanizëm që do të garantonte zgjedhje të drejta dhe demokratike, duke përfshirë ministra shtesë të propozuar nga opozita 100 ditët para zgjedhjeve. mb/
Foto: printskrin