• четврток, 19 март 2026

Kuvendi e zgjodhi Nenad Saveskin për prokuror të ri publik të shtetit

Kuvendi e zgjodhi Nenad Saveskin për prokuror të ri publik të shtetit

 Shkup, 18 mars 2026 (MIA) - Kuvendi sot, në seancën e 94-të, zgjodhi Nenad Saveskin për  prokuror të ri publik të shtetit.

 Zgjedhjen e Saveskit e mbështetën 66 deputetë, dy votuan "kundër" dhe tetë abstenuan.

 Propozimin e Qeverisë për zgjedhjen e Saveskit për prokuror publik të shtetit,  para deputetëve e elaboroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski.

 "Maqedonia ka nevojë urgjente për drejtësi dhe sundim të ligjit. Ka nevojë për një hapje dhe procedim të qartë të rasteve që do të përmirësojnë imazhin e shtetit dhe sistemin prokurorial-gjyqësor, theksoi zëvendëskryeministri në seancën e Kuvendit.   

 Ai theksoi se Saveski është profesionist dhe i dëshmuar në punën e tij që siç tha, madje "pa asnjë njollë në karrierën e tij profesionale".

 

Zgjedhjes i parapri një debat në të cilin deputetët e pushtetit dhe të opozitës shkëmbyen kritika rreth asaj se kush është përgjegjës për besimin e ulët në sistemin gjyqësor, kush po përpiqet të partizojë gjykatësit dhe prokurorët, u përmendën pasojat nga puna e PSP-së, "gjyqësori svarovski", u përmendën emrat e ish-kryeministrave Zoran Zaev, Nikolla Gruevski... Deputetët e pushtetit theksuan biografinë e pasur dhe përvojën e punës së Saveskit në sistemin gjyqësor, të cilën e njohën edhe deputetët e opozitës, të cilët, nga ana tjetër, vunë re se cilësia është e pamohueshme, por kritikuan sistemin që pushteti dëshiron të krijojë, i cili, sipas tyre, do ta partizojë prokurorinë.

 Saveski, i cili për momentin është gjykatës në Gjykatën Themelore Penale - Shkup, për prokuror publik shtetëror u nominua nga Qeveria më 10 mars. Kandidatura e tij vjen pas dorëheqjes së ish-prokurorit Ljupço Kocevski, dhe pas një procedure në të cilën morën pjesë pesë kandidatë.

Nenad Saveski ka lindur në vitin 1976, jeton në Gostivar, është magjistër i Shkencave Juridike në të Drejtën Penale, i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë” pranë USHKM në Shkup, ku kreu edhe studimet e tjera. Provimin e jurisprdencës e kaloi në vitin 2003. Saveski nga viti 2016 është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale – Shkup, në degën për krim të organizuar dhe korrupsion. Më parë, nga viti 2009 deri në 2016, ka punuar si prokuror në Prokurorinë Themelore, ndërsa nga 2004 deri në 2009 ka qenë bashkëpunëtor i specializuar në Gjykatën Themelore të Gostivarit. Në këtë gjykatë nga 2000 deri 2002 ka punuar si praktikant gjyqësor.

 Në biografinë e tij janë përfshirë edhe angazhime ekspertësh dhe ndërkombëtare: ka qenë ekspert në OSBE Maqedoni, në Konventën Kombëtare për BE – Neni 23, si dhe në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe USAID.

Është anëtar i grupeve të punës për reforma gjyqësore dhe ligjore, ka punuar në projekte për masa të veçanta hetimore, paraburgim dhe procedurë penale. 

 Nga karriera akademike, Saveski është ligjërues në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, tutor dhe trajnues kombëtar në programin HELP të Këshillit të Evropës, si dhe trajnues për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë penale.

 Ai është autor dhe bashkëautor i punimeve për masa të veçanta hetimore, lirinë e shprehjes, shpifje dhe ofendim, konfiskimin e pasurisë, të drejtën e privatësisë, si dhe udhëzues dhe publikime të tjera profesionale.

Flet gjuhën maqedonase, angleze, gjermane, serbe dhe ka njohuri bazë të gjuhës shqipe.

 

Остани поврзан