Kuvendi e përcaktoi nevojën për miratimin e pakos së ligjeve për uljen e pagave të zyrtarëve
- Kuvendi sot, në kuadër të seancës së 89-të plenare, e përcaktoi nevojën për miratimin e pakos së ligjeve me të cilat bëhet nivelizimi i pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar. Me këto ligje parashihet që pagat e këtyre personave të ulen deri në 13.000 denarë. Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për deputetët, Ligjin për pagë dhe kompensime të tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, Ligjin për pagat e prokurorëve publikë, Ligjin për pagat e gjyqtarëve, Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë, Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë. Pas mbajtjes së komisioneve amë parlamentare, pritet që seanca të vazhdojë në orën 18:30.
Shkup, 25 shkurt 2026 (MIA) – Kuvendi sot, në kuadër të seancës së 89-të plenare, e përcaktoi nevojën për miratimin e pakos së ligjeve me të cilat bëhet nivelizimi i pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar. Me këto ligje parashihet që pagat e këtyre personave të ulen deri në 13.000 denarë. Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për deputetët, Ligjin për pagë dhe kompensime të tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, Ligjin për pagat e prokurorëve publikë, Ligjin për pagat e gjyqtarëve, Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë, Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë.
Pas mbajtjes së komisioneve amë parlamentare, pritet që seanca të vazhdojë në orën 18:30.

Me këto ligje, siç arsyetoi propozuesi - deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, vendosen nivele reale të pagave. Stojanoski shpjegoi se me këto zgjidhje të propozuara bëhet ndërhyrje në koeficientët dhe se kjo zgjidhje ligjore është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.
"Me këto zgjidhje të propozuara bëhet ndërhyrje në koeficientët, me çka sigurohet përdorim racional i mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë. Kjo zgjidhje ligjore është në përputhje me Kushtetutën dhe është e vetmja zgjidhje ligjore që mund të hyjë brenda kornizës kushtetuese dhe më pas të mos ankimohet në Gjykatën Kushtetuese. Me këto ndryshime, disa pozita ulen në drejtimin si vijon: për deputetët dhe zyrtarët në pushtetin ekzekutiv ulen koeficientët, me çka drejtpërdrejt zvogëlohet barra buxhetore; për gjyqtarët dhe prokurorët publikë parashihet harmonizim i koeficientëve me qëllim që pagat e tyre të jenë në përputhje me mundësitë reale ekonomike të shtetit; ndërsa për kryetarët e komunave propozojmë një shkallë të re koeficientësh, në varësi të numrit të banorëve në komuna. Nëse këto ndryshime miratohen sot në Kuvend, pagat do të nivelizohen, që do të thotë se për të gjithë këta zyrtarë që përfshihen në këto gjashtë ligje, paga do të ulet nga 10 deri në 13.000 denarë", tha Stojanoski.
Kuvendi nuk e miratoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale, me të cilin propozohej që paga minimale të rritet në 600 euro, i paraqitur nga deputetët e opozitës. Deputetët e opozitës theksuan se paga minimale nuk është vetëm një shifër, por, siç thanë, është çështje nëse një familje do të mund ta paguajë faturën e energjisë elektrike dhe nëse do të ketë mjaftueshëm ushqim deri në fund të muajit. Ata potencuan se “rritja e pagës minimale do të thotë investim në kapitalin tonë më të madh – punëtorët”, sepse investimi në punëtorët, siç u shprehën, është investim në ekonomi, pasi nuk ka ekonomi pa punëtor të kënaqur.
Deputetët e pushtetit theksuan se do të ketë rritje të të gjitha pagave dhe se qytetarët do të jetojnë më mirë, pavarësisht se, siç potencuan, duhet të kthehen të gjitha borxhet dhe gjithçka që është vjedhur nga pushteti i mëparshëm. Ata theksuan se gjatë kohës kur LSDM ishte në pushtet, nga puna janë larguar 200 mijë persona dhe se ministrat e tyre nuk kanë paguar paga për punëtorë në institucione të ndryshme. Potencuan se nuk janë kundër rritjes së pagave, por, siç theksuan, ajo duhet të vijë si rezultat i dialogut ndërmjet të gjitha palëve të përfshira dhe të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme.
U votua nevoja që me procedurë të shkurtuar të miratohen edhe Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për realizimin e projekteve infrastrukturore për ndërtimin e aksit rrugor Milladinovci-Shtip dhe aksit rrugor Kërçovë-Ohër, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për shëndetësi veterinare dhe Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve. Kuvendi miratoi gjithashtu vendime për shpalljen e konkurseve publike për përbërjen e disa institucioneve - Vendimin për emërimin e anëtarit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Vendimin për publikimin e konkursit publik për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik -Votimi, Vendimit për publikimin e konkurs publik për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Vendimin për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Vendimin për shpalljen e konkursit publik për emërimin e Kryetarit të Komisionit Rregullator për Shërbime të Energjetikës, Ujit dhe Menaxhimit të Mbeturinave Komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Deputetët votuan për emërimin e Nikolla Zaturoskit si kryetar i Komisionit Rregullator për Baneim, ndërsa Lubisha Jovanovski, Zoranço Dimitrov dhe Naser Zharki u emëruan anëtarë të Komisionit.
Kuvendi miratoi edhe Planin Financiar të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional me Financim Kapital për vitin 2026, si dhe Propozim-vendimin për dhënien e pëlqimit ndaj Vendimit për lartësinë e kompensimit mujor që Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional me Financim Kapital e paguan nga shoqëritë pensionale për vitin 2026. ls/
Foto: Printskrin nga video