KSHZ miratoi vendimin për detajimin e detyrave të ekspertëve për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e sistemit të integruar të identifikimit biometrik
- KSHZ-ja njëzëri miratoi vendimin për detajimin e detyrave të ekspertëve për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e sistemit të integruar të identifikimit biometrik.
Shkup, 12 maj 2026 (MIA) - KSHZ-ja njëzëri miratoi vendimin për detajimin e detyrave të ekspertëve për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e sistemit të integruar të identifikimit biometrik.
Në seancën e gjashtë me radhë, anëtarët votuan vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për formimin e një grupi pune profesionale nga ekspertë të jashtëm për TIK-un, për analizë teknike dhe sigurimin e funksionalitetit të plotë, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e sistemit të integruar të identifikimit biometrik, vendim i cili ishte miratuar më 26 shkurt.
"Me këtë vendim bëhet ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të mëparshëm, me qëllim që të detajohen detyrat e grupeve të punës që i kemi përcaktuar dhe që po punojnë në këtë çështje delikate dhe shumë të rëndësishme për mbrojtjen, përmirësimin dhe sigurimin e funksionalitetit të plotë të sistemit për identifikimin biometrik të votuesve. Vetëm mund të përmend se ky grup pune për analizë dhe propozim të funksionalitetit, mirëmbajtjes dhe mbrojtjes së sistemit për identifikimin biometrik të votuesve do të përgatisë një analizë përkatëse mbi përvojat e deritanishme nga përdorimi i këtij sistemi shumë të rëndësishëm, gjithashtu, do të shqyrtojë të gjitha përvojat krahasuese dhe gjithçka që është zbatuar deri tani, mundësitë teknike për zhvillim të mëtejshëm dhe do të përgatisë një propozim adekuat për funksionimin e ardhshëm, analizën dhe çështje të tjera të ngjashme", tha kryetari Bojan Mariçiq.
Anëtarët e KSHZ-së diskutuan edhe pikën e tretë të rendit të ditës, e cila rrjedh nga ky vendim, ndryshimin dhe plotësimin e tij. Më pas miratuan njëzëri vendimin për caktimin e personave, përkatësisht koordinatorit, zëvendëskoordinatorit dhe anëtarëve të grupit të punës për hartimin e analizës dhe propozimit për mbrojtjen funksionale dhe institucionale të sistemit.
"Me qëllim që të sigurohet funksionalitet i pandërprerë dhe mbrojtje teknike, institucioni ynë vendosi të formojë këtë grup pune me ekspertë të jashtëm, sepse institucioni ynë nuk disponon persona të cilët janë të punësuar këtu në mënyrë të përhershme, të cilët kanë njohuri, përgatitje dhe përvojë të tillë. Ky grup ka funksionuar edhe më parë gjatë periudhës së kaluar, që nga momenti kur është vendosur ky sistem, dhe bazuar në bashkëpunimin e deritanishëm të suksesshëm, ne po e riaktivizojmë dhe po e vazhdojmë punën e tyre", sqaroi Mariçiq. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s