• петок, 15 мај 2026

Konferencë: Të krijohet platformë për luftë kundër korrupsionit në të cilën do të kyçen të gjithë faktorët shoqërorë

Konferencë: Të krijohet platformë për luftë kundër korrupsionit në të cilën do të kyçen të gjithë faktorët shoqërorë

Shkup, 14 maj 2026 (MIA) - Jo vetëm sektori publik, por edhe ai privat duhet të kyçen aktivisht në luftën kundër korrupsionit. Edhe organizatat joqeveritare, gjithashtu, shkenca, akademikët, odat ekonomike, qytetarët, në të gjitha nivelet. Secili duhet të flasë publikisht dhe të tregojë me çfarë shembuj konkret të korrupsionit është përballur. Është i domosdoshëm krijimi i një platforme të përbashkët në të cilën do të marrin pjesë të gjithë faktorët shoqërorë. Vetëm kështu do të mund të bëhet diçka konkretisht, përballë angazhimeve të deritanishme, kryesisht deklarative të cilat nuk dhanë rezultat të madh, porositën pjesëmarrësit në konferencën e sotme "Integriteti i biznesit për ekonomi konkurruese".

Siç u tha, integriteti biznesor nuk është barrë, por përparësi, ndërsa përkushtimi ndaj transparencës i bën ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shumë më konklurruese dhe u jep përparësi shumë më të madhe.

Sektori publik dhe ai privat janë të ndërlidhur mes veti, ndërsa komunikimi i tyre i ndërsjellë është kyç në luftën kundër korrupsionit. Me ngritjen e integritetit në sektorin publik, do të ngritet integriteti edhe në sektorin privat. Korrupsioni është i dyanshëm dhe pa integritet në sektorin privat, nuk ka integritet në sektorin publik dhe anasjelltas, theksoi kryetari i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Adem Çuçul.

Sipas kryetarit të Odës ekonomike, Branko Azeski, korrupsioni është temë nga e cila përfaqësuesit e lartë qeveritarë, e madje edhe të biznesit, më shpesh ikin. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përballen me këtë problem në sportelet e institucioneve.

"Korrupsioni zgjidhet me formimin e një platformë në të cilën të gjithë do të marrin pjesë. Nuk shoh që të gjithë marrin pjesë në Maqedoni. Mungojnë palët kryesore të interesuara - universitetet, Akademia, sektori joqeveritar,... Nëse të gjithë ne që jemi ulur këtu i tregojmë një shembull KSHPK-së, përfshirë Qeverinë, sektorin privat dhe joqeveritar, do ta inkurajojmë punën. E dimë që ka mbipunësim në administratën shtetërore, 150 000 njerëz të paktën. Kjo është baza e korrupsionit. I bëj thirrje KSHPK-së të shohë - ka pesë institucione që nuk kanë detyrë, për shembull, Agjencia për Rregullimin e Trafikut Hekurudhor. Ne kemi një agjenci rregullatore për një pozicion monopoli. Çfarë rregullon? Gjatë 35 viteve të fundit të pavarësisë, kemi ndërruar 12 kryeministra, 18 ministra të transportit dhe financave, 15 ministra të ekonomisë, 21 për ekologjinë,... politika, metodologji, ligje, rregullore të reja dhe po bredhim në rrathë. Kur do ta kuptojmë dhe a e dimë se çfarë është integriteti?", tha Azeski.

Sipas tij, problemi me korrupsionin nuk mund ta zgjidhë asnjë qeveri, asnjë odë apo asnjë komision, por populli.

"Duhet të bëhet platforma që do të mbështetet nga i tërë populli, nga të gjitha institucionet. Nëse i pari vjedhë, do të vjedhin të gjithë, por nëse vjen ndonjë i ndershëm, askush nuk do të vjedhë", konkludoi Azeski dhe edhe njëherë bëri thirrje për ulje të numrit të të punësuarve në administratën publike.

Në konferencë mori pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikollovski i cili përmendi se Maqedonia duhet t'i mbrojmë kompanitë vendore.

Sipas tij, ndërmarrjet tona të vogla dhe të mesme në sistem të hapur, liberal, nuk janë jokonkurruese.

"Çështja është nëse dëshirojmë të jemi të mirë para opinionit, para publikut, në raporte dhe të flasim për transparencë, për llogaridhënie apo dëshirojmë t'i shohim gjërat siç janë, të shihemi në pasqyrë dhe të pranojmë se kemi probleme thelbësore të cilat duhet të zgjidhen nëse dëshirojmë të na mbijetojë ekonomia dhe nëse dëshirojmë të mos durojmë ndikime të jashtme të cilat janë jashtë orientimit strategjik të shtetit", nënvizoi Nikollovski.

Konferenca u organizua në suaza të Projektit të bashkëfinancuar të BE-së "Biznes me integritet Maqedoni e Veriut - Mobilizim i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) si liderë kundë korrupsionit". Morën pjesë Pavel Usvatov, drejto i Programit për sundim të së drejtës, KAS Evropa Juglindore, ambasadorja gjermane, Petra Dreksler, zëvendës shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ben Nupnau, kryetarja e Asociacionit të grave afariste, Valentina Disoska, si dhe menaxherja financiare dhe oficere për harmonizim në Markart Maqedoni, Snezhana Zdraveska. ab/

foto: МIА

 

 

Остани поврзан