• петок, 13 март 2026

Konferencë: Për eurointegrime të suksesshme e domosdoshme është edhe pjesëmarrja aktive e shoqërisë civile, e sindikatave dhe e bashkësisë së biznesit

Konferencë: Për eurointegrime të suksesshme e domosdoshme është edhe pjesëmarrja aktive e shoqërisë civile, e sindikatave dhe e bashkësisë së biznesit

Shkup, 12 mars 2026 (MIA) – Krahas reformave, për një proces të suksesshëm eurointegrues është e domosdoshme edhe pjesëmarrja aktive e shoqërisë civile, e sindikatave, e organizatave të punëdhënësve dhe e bashkësisë së biznesit – kjo është porosia kryesore nga konferenca me partnerët socialë dhe organizatat civile nga vendi, e organizuar nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (KESE) dhe Komiteti i tij për monitorimin e Ballkanit Perëndimor, e cila u mbajt në Shtëpinë Evropiane në Shkup.

Konferenca përfshiu diskutime mbi rolin e shoqërisë civile në negociatat e pranimit, gjendjen e dialogut social, si dhe çështjet që lidhen me lirinë e shprehjes dhe përballjen me dezinformatat.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në fjalimin e tij theksoi se integrimi evropian nuk është vetëm proces qeveritar, por projekt shoqëror që kërkon pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile, të sindikatave, të organizatave të punëdhënësve dhe të bashkësisë së biznesit.

Shoqëria civile e organizuar nuk duhet të jetë vëzhgues, por bashkëkrijuese e reformave. Kredibiliteti i zgjerimit varet nga reforma reale e matshme dhe gjithëpërfshirëse, theksoi Sali.

Ai theksoi se dialogu social efektiv përbën shtyllë të pjekurisë demokratike dhe parakusht për stabilitet ekonomik dhe integrim evropian.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, ndaj reformave dhe ndaj dialogut konstruktiv me të gjithë faktorët shoqërorë, tha Sali, duke konfirmuar përkushtimin e Qeverisë për mbrojtjen e hapësirës qytetare, pluralizmit mediatik dhe luftës kundër dezinformatave.

Ministri theksoi se Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi për ndërlidhje të reformave me përfitime konkrete për qytetarët, por që suksesi varet nga pronësia e përbashkët dhe partneriteti në të gjitha nivelet.

Zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së në vend, Ben Nupnau, tha se anëtarësimi në BE për Maqedoninë e Veriut është një udhëtim që përfshin jo vetëm institucionet, por edhe qytetarët.

- Duke punuar bashkarisht, Qeveria, punëdhënësit, punëtorët, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë, e forcojmë demokracinë dhe promovojmë rritje ekonomike gjithëpërfshirëse. Në këtë proces, roli i partnerëve socialë dhe i organizatave të shoqërisë civile është i pazëvendësueshëm. Ato përfaqësojnë zërin e punëtorëve, të punëdhënësve, të bashkësive dhe sigurojnë llogaridhënie, si dhe ndihmojnë që procesi reformues të jetë kredibil dhe gjithëpërfshirës, tha Nupnau.

Ai ceku se BE-ja angazhohet fuqishëm për mbrojtje të të drejtave themelore të punëtorëve dhe për harmonizim me standardet ndërkombëtare evropiane, përfshirë këtu konventat kyçe për të drejtat e punëtorëve dhe Kartën Sociale Evropiane.

- Gjatë procesit të anëtarësimit, ligjet për marrëdhëniet e punës, diskriminimin, shëndetin dhe sigurinë në punë si dhe mundësitë e barabarta janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Kjo dëshmon përkushtimin ndaj drejtësisë, dinjitetit në punë dhe rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse. Ne konsiderojmë se rritja ekonomike ecë dorë për dore me rritjen shoqërore. Prandaj, dialogu social është gurthemeli i politikave ekonomike dhe sociale në Evropë. Dialogu ndërmjet Qeverisë, punëdhënësve dhe mekanizmit të punës për ndryshime në tregun e punës dhe për ndërtim të besimit mes institucioneve dhe qytetarëve ka rëndësi të madhe, tha ai.

Ai shtoi se programi IPA gjithashtu është i përkushtuar që t’i forcojë kapacitetet e partnerëve socialë dhe të angazhohet për bashkëpunim që do ta forcojë dialogun, do të ndërtojë kapacitete institucionale dhe do të vendosë komunikim efektiv ndërmjet të gjithë aktorëve në Maqedoninë e Veriut. - Njëkohësisht, organizatat e shoqërisë civile mbeten partnerë thelbësorë në këtë proces, tha Nupnau.

Javën e kaluar, rikujtoi ai, BE-ja e miratoi Strategjinë për Shoqëri Civile, në mënyrë që këto organizata të mund të japin kontribut të rëndësishëm në debatet për integrimin evropian. - Zëri i shoqërisë civile të organizuar nga vendet e zgjerimit është i rëndësishëm për zbatimin e këtyre strategjive. Me këtë lehtësohet dialogu ndërmjet institucioneve, vendeve të zgjerimit dhe partnerëve nga shoqëria civile, përmes përfshirjes së shoqërisë civile në forumet konstituive, tha Nupnau.

Violeta Jeliq, kryetare e Komitetit për monitorimin e Ballkanit Perëndimor pranë Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, theksoi se shoqëria civile e vendit tashmë ka pasur mundësi të flasë dhe të paraqesë mendime me shkrim në kuadër të diskutimeve të caktuara me partnerët e tyre nga BE-ja.

 

Ajo theksoi se Komiteti i tyre është trupi i parë evropian që e zbaton parimin e anëtarësimit gradual të vendeve kandidate në punën e vet të përditshme.

Kryetari i Grupit të Përhershëm të KESE-së për të Drejtat Themelore dhe Sundimin e së Drejtës, Hose Antonio Moreno Diaz, në panelin “Pjesëmarrja e shoqërisë civile të organizuar në negociatat për anëtarësim në BE dhe zbatimin e Agjendës së Reformave”, theksoi se kanë identifikuar probleme me dialogun social, përkatësisht me perceptimin real në lidhje me konsultimet ndërmjet partnerëve socialë, sa u përket tregut të punës dhe gjendjes në tregun e punës, zbatim të dobët të të drejtave të punëtorëve, veçanërisht në zonat e lira tregtare, si dhe diskriminim të grave shtatzëna në tregun e punës.

Në lidhje me diskriminimin, në takimet në Shkup më është thënë se Maqedonia e Veriut ka kornizë të mirë ligjore, kapacitete të mira institucionale, por i mungojnë efikasiteti dhe buxheti, tha Moreno Diaz.

Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, në të njëjtin panel, në cilësinë e anëtarit shoqërues të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), foli për përcaktimin dhe qëndrimin e biznesit vendor se BE-ja mbetet partneri kryesor tregtar i vendit tonë, por edhe për rëndësinë dhe rolin e integrimit evropian, i cili para së gjithash është nevojë ekonomike dhe zhvillimore.

Ai rikujtoi se për këtë qëllim vitin e kaluar, në kuadër të Odës, nisi iniciativë për themelimin e Klubit të Biznesit Evropa, me vizionin, siç tha ai, që bashkësia e biznesit të bëhet partner kyç në dimensionin ekonomik të anëtarësimit në BE dhe platformë udhëheqëse për të gjitha temat ekonomike që lidhen me eurointegrimet, përmes pjesëmarrjes edhe të publikut akademik, të faktorëve relevantë në proceset eurointegruese dhe të përfaqësuesve diplomatikë të vendeve evropiane.

Për bashkësinë e biznesit, është e domosdoshme të ketë dialog të qartë, të strukturuar dhe koherent gjatë gjithë procesit të anëtarësimit, që në fund të atij procesi të kemi medoemos kompani që do të jenë plotësisht të gatshme të përballen me forcat e tregut të tregut unik, ta ruajnë konkurrueshmërinë e tyre në atë treg të hapur, por edhe të kontribuojnë në zinxhirët evropianë të furnizimit – dhe kjo mund të arrihet vetëm me përfshirjen tonë të plotë gjatë tërë procesit, theksoi Azeski.

Ai ritheksoi se në një moment kur rrjedhat gjeopolitike janë të paqarta, mospasja e një perspektive të qartë për bashkësinë e biznesit është “rrezik vdekjeprues kur nuk e ke të qartë se çfarë do të bësh dhe si do t’i realizosh qëllimet”. Azeski theksoi se në rrugën drejt BE-së rëndësi të veçantë kanë edhe Agjenda e Reformave, të cilën, siç tha ai, sektori i biznesit e sheh si instrument kyç, si dhe përgatitja e projekteve cilësore për financim, për përfitime të drejtpërdrejta për kompanitë, por vetëm nëse rritet kapaciteti i aplikimeve për shfrytëzimin e plotë të mjeteve të disponueshme, si përmes Planit të Rritjes, ashtu edhe në përgjithësi përmes IPA-s.

Në konkludimet e veta, KESE përsërit se, si vende kandidate afatgjata për anëtarësim, lehtësimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE paraqet prioritet strategjik. KESE beson fuqishëm se një qasje graduale, e parashikueshme dhe e bazuar në merita për përfitimin e dobive të shtuara gjatë procesit të anëtarësimit në Union është mënyra më e mirë për të vazhduar drejt zgjerimit të BE-së. Ata përsërisin gjithashtu se hendeku socio-ekonomik mes partnerëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mbetet sfidë dhe se, për të arritur konvergjencë, të gjithë partnerët duhet t’i intensifikojnë përpjekjet reformuese për ta shfrytëzuar momentumin aktual të zgjerimit dhe për të dëshmuar vlerën e investimeve shtesë financiare të BE-së në zhvillimin e rajonit. ls/

Foto: MIA

Остани поврзан