• сабота, 16 мај 2026

Katër persona janë privuar nga liria, shtatë denoncime për dhunë familjare gjatë 24 orëve të fundit

Katër persona janë privuar nga liria, shtatë denoncime për dhunë familjare gjatë 24 orëve të fundit

Shkup, 6 maj 2026 (MIA) - Në 24 orët e fundit, Ministria e Punëve të Brendshme ka regjistruar shtatë raportime për dhunë në familje, me çka katër persona janë privuar nga liria, ndërsa dy janë intervistuar zyrtarisht.

Siç informojnë nga MPB, sot në orën 05:10 në Shtip, nëpunës policorë nga SPB Shtip e kanë privuar nga liria S.D. (38) nga Shtipi. Edhe pse që nga prilli i vitit 2026 kishte aktvendim gjyqësor që të mos i afrohej dhe të mos e shqetësonte bashkëshorten e tij, rreth orës 01:00 ai ka shkuar para shtëpisë ku jeton bashkëshortja e tij dhe pas një zënke të shkurtër e ka sulmuar fizikisht.

Mbrëmë në orën 21:00 në Shkup, nëpunës policorë nga SPB Shkup e kanë privuar nga liria B.S. (55) nga Shkupi, duke vepruar pas denoncimit paraprak të djalit të 25-vjeçar, se në shtëpinë familjare i kishte bërë kërcënime me një mjet të mprehtë.

Në rajonin e Shkupit, mbrëmë në orën 19:45 nëpunës policorë nga SPB Shkup e kanë privuar nga liria I.B. (40) nga rajoni i Shkupit, duke vepruar pas denoncimit të prindërve të tij, se në shtëpinë familjare ishte sjellë në mënyrë agresive, kishte dëmtuar një pjesë të orendive shtëpiake dhe u kishte bërë kërcënime.

Dje në orën 06:00 në SPB Shkup, një 18-vjeçar nga rajoni i Shkupit ka denoncuar se gjatë natës rreth orës 00:00, në shtëpinë familjare në territorin e komunës së Sarajit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, ishte sulmuar fizikisht nga vëllai i tij 19-vjeçar. Pas marrjes së masave, nëpunës policorë nga Stacioni Policor Kisella Vodë kanë zhvilluar bisedë zyrtare me të denoncuarin.

Më 06.05.2026 në SPB Ohër është zhvilluar bisedë zyrtare me G.J. (46) nga Ohri, duke vepruar pas denoncimit të bashkëshortes së tij 44-vjeçare, se pas një zënke të shkurtër i kishte bërë kërcënime. Tek ai janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, një pushkë automatike dhe municion për pistoletën dhe pushkën.

Në Dibër, nëpunës policorë nga NJPB Dibër e kanë privuar nga liria B.G. (45) nga Dibra, duke vepruar pas denoncimit se në shtëpinë familjare e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 36-vjeçare.

Dje në orën 14:00 në NJPB Prilep, një grua nga Prilepi ka denoncuar se në shtëpinë familjare ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj S.K., i cili kishte përdorur një mjet të fortë dhe i kishte shkaktuar lëndime.

Nga MPB theksojnë se po ndërmerren masa për zbardhjen e rasteve dhe, pas dokumentimit të plotë të tyre, ndaj autorëve do të parashtrohen kallëzime përkatëse. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s
 
 

 

Остани поврзан