Kapetanoviq: Rrugët e karrierës nuk janë më kaq lineare, nuk janë të rëndësishme vetëm diplomat, por edhe aftësitë, kompetencat dhe adaptueshmëria
- Marrja e diplomave universitare pa njohuri cilësore krijon frustrime, ndërsa posedimi i një diplome në kushtet aktuale nuk mjafton pa mësim gjithëjetësor, pasi rrugët e karrierës nuk janë më kaq lineare. Punëdhënësit tani nuk shikojnë vetëm diplomat, por edhe aftësitë, kompetencat dhe adaptueshmërinë. Prandaj janë të nevojshme universitete që janë më ndërkombëtare, më relevante, më fleksibile dhe më të lidhura me ekonomitë reale, theksoi sekretari përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR), Amer Kapetanoviq në hapjen e Konferencës rajonale "Ura drejt së ardhmes: Internacionalizimi i arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore", që po mbahet sot dhe nesër në Shkup.
Shkup, 26 mars 2026 (MIA) - Marrja e diplomave universitare pa njohuri cilësore krijon frustrime, ndërsa posedimi i një diplome në kushtet aktuale nuk mjafton pa mësim gjithëjetësor, pasi rrugët e karrierës nuk janë më kaq lineare. Punëdhënësit tani nuk shikojnë vetëm diplomat, por edhe aftësitë, kompetencat dhe adaptueshmërinë. Prandaj janë të nevojshme universitete që janë më ndërkombëtare, më relevante, më fleksibile dhe më të lidhura me ekonomitë reale, theksoi sekretari përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR), Amer Kapetanoviq në hapjen e Konferencës rajonale "Ura drejt së ardhmes: Internacionalizimi i arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore", që po mbahet sot dhe nesër në Shkup.
Arsimi i lartë, thotë ai, nuk është më vetëm për marrjen e diplomave, edhe pse lidhet me to, por nuk është vetëm për këtë arsye. Ajo është një çështje strategjike për të ardhmen e rajonit.
"Premtimi i vjetër që njohim ishte i thjeshtë: studio shumë, merr një diplomë, siguro një punë të mirë dhe ngjitu në karrierë. Sot, ky premtim i vjetër nuk vlen as në ekonomitë e përparuara. Kjo është shumë e rëndësishëm, por nuk garanton suksesin, përveç nëse përputhet me kërkesat e rrepta të tregut të punës. Me fjalë të tjera, teknologjia formëson qasjen tonë ndaj informacionit, ndërsa sistemi arsimor duhet të sigurojë që njohuritë të kenë ruajtur vlerën e tyre. Dhe unë besoj se ky duhet të jetë premtimi ynë i ri. Dhe në kuadër të këtij premtimi, sfida nuk është vetëm të zgjerohet arsimi i lartë, por edhe të ripozicionohet. Janë të nevojshme universitete që janë më ndërkombëtarë, më relevante, më fleksibile dhe më të lidhura me ekonomitë real", tha Kapetanoviq.
Për këtë qëllim, siç theksoi ai, internacionalizimi i universiteteve nuk është çështje e markës, e prestigjit dhe sigurisht nuk bëhet fjalë vetëm për dërgimin e më shumë studentëve jashtë vendit, por ka të bëjë me cilësinë, mobilitetin, adaptueshmërinë, kapacitetet për kërkime dhe mundësi.
Duke u ndalur tek zgjidhjet e mundshme, ai theksoi se duhet ndërmarrë disa hapa, përfshirë lidhjen e internacionalizimit me konkurrueshmërinë. Asnjë rajon, sipas tij, nuk mund të flasë seriozisht për inovacion, tranzicion digjital, apo transformim të gjelbër, nëse universitetet e tij nuk janë të lidhura mjaftueshëm me rrjetet ndërkombëtare dhe industrinë.

Sipas tij, duhet të punohet për të mundësuar qarkullimin e talenteve, e jo largimin e tyre. Mobilizimi, thotë ai, nuk duhet të jetë një drejtim i vetëm, por duhet të ndërtohen rrjete ndërkombëtare dhe rajonale dhe lidhje të forta me ekosistemin akademik.
Gjithashtu, theksoi ai, duhet të përshtatemi me ndryshimet në vetë arsimin e lartë, sepse, siç tha, mësimi tani është gjithëjetësor, rrugët e karrierës nuk janë më kaq lineare, ndërsa punëdhënësit tani nuk shikojnë vetëm diplomat, por edhe aftësitë, kompetencat dhe adaptueshmërinë.
Për përmirësimin e gjendjes në fushën e arsimit të lartë, bashkëpunimi rajonal duhet të shihet si pjesë e sigurimit të shërbimeve në zinxhirin evropian.
Mbështetës i Konferencës rajonale "Ura drejt së ardhmes: Internacionalizimi i arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore", e cila po mbahet sot dhe nesër në Shkup, është Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut,
Ngjarja është organizuar nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC) dhe Banka Botërore dhe përfaqëson një dialog në nivel të lartë që bashkon ministra, drejtues të universiteteve, akademikë, hulumtues, politikbërës, përfaqësues të industrisë, punëdhënës, ekspertë dhe studentë.
Konferenca është konceptuar si platformë për lidhjen e njerëzve, ideve dhe insititucioneve që do të kontribuojnë në formësimin e fazës tjetër të reformës së arsimit të lartë në rajon. Pjesëmarrësit do të diskutojnë për konkurrueshmërinë e universiteteve dhe përputhshmërinë e tyre me standarde evropiane dhe globale, inovacionet dhe aftësitë digjitale, veçanërisht në fushat STEM, politikat për lëvizshmërinë dhe krijimin e kushteve që të rinjtë mësojnë, hulumtojnë dhe të punojnë në vende të ndryshme, ndërsa njohuritë e fituara të kthehen në rajon, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me qëllim ndarjen e praktikave dhe përvojave më të mira.
Pavarësisht dallimeve historike dhe institucionale, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, siç shtojnë, ndajnë sfida, vlera dhe aspirata të përbashkëta. Përmes dialogut dhe shkëmbimit të ideve, rajoni dëshiron të tregojë se nuk është vetëm një pjesëmarrës pasiv në proceset evropiane, por edhe një partner i barabartë që me njohuri, talente dhe inovacione mund ta pasurojë Evropën. qa/
Foto: MIA