Kapetanoviq në konferencën në Berlin: Bashkëpunimi rajonal kyç për tregje pune të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor
- Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, sot mori pjesë në konferencën “Ballkani Perëndimor: Avancimi i Punësimit dhe Politikave Sociale së Bashku”, e mbajtur në Berlin në kuadër të Procesit të Berlinit, me fokus në forcimin e bashkëpunimit në fushën e punësimit dhe politikave sociale në Ballkanin Perëndimor. Konferenca u organizua nga Ministria Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale e Gjermanisë, ndërsa fjalët hyrëse u mbajtën nga Barbel Bas, Ministre Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale; Naida Nishiq, Ministre e Punës, Punësimit dhe Dialogut Social të Malit të Zi, në emër të kryesimit të Procesit të Berlinit 2026; si dhe Roksana Minzatu, Zëvendëspresidente Ekzekutive e Komisionit Evropian, përmes një video-mesazhi, transmeton KDP.MK.
Shkup, 12 maj 2026 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, sot mori pjesë në konferencën “Ballkani Perëndimor: Avancimi i Punësimit dhe Politikave Sociale së Bashku”, e mbajtur në Berlin në kuadër të Procesit të Berlinit, me fokus në forcimin e bashkëpunimit në fushën e punësimit dhe politikave sociale në Ballkanin Perëndimor. Konferenca u organizua nga Ministria Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale e Gjermanisë, ndërsa fjalët hyrëse u mbajtën nga Barbel Bas, ministre Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale; Naida Nishiq, ministre e Punës, Punësimit dhe Dialogut Social të Malit të Zi, në emër të kryesimit të Procesit të Berlinit 2026; si dhe Roksana Minzatu, Zëvendëspresidente Ekzekutive e Komisionit Evropian, përmes një video-mesazhi, transmeton KDP.MK.
Kapetanoviq foli në panelin “Promovimi i Punësimit: Strategji Efektive për Tregje Pune të Qëndrueshme dhe Gjithëpërfshirëse” së bashku me Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit; Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe Punës; dhe Jelena Vasiq, këshilltare e lartë për Hartimin e Masave Aktive të Punësimit. Diskutimi u përqendrua në sfidat e përbashkëta të tregut të punës në rajon, përfshirë mungesën e aftësive, informalitetin, presionet demografike, mobilitetin e fuqisë punëtore dhe nevojën për modernizimin e shërbimeve publike të punësimit.
"Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, tregjet e punës përballen me rrethana të ndryshme, por shumë nga sfidat strukturore janë të përbashkëta. Mesatarisht, normat e punësimit dhe aktivitetit mbeten dukshëm nën nivelet e Bashkimit Evropian, papunësia e të rinjve dhe normat NEET vazhdojnë të jenë të larta, pjesëmarrja në mësimin gjatë gjithë jetës mbetet e kufizuar, ndërsa informaliteti vazhdon të dobësojë produktivitetin, të ardhurat publike dhe qasjen në mbrojtje sociale. Për këtë arsye, bashkëpunimi rajonal nuk është një punë shtesë, por një domosdoshmëri praktike. Procesi i Berlinit jep drejtimin politik, Plani i Punës përcakton prioritetet konkrete, ndërsa roli i RCC-së është të ndihmojë në zbatimin e tyre përmes analizave, shkëmbimit të përvojave, monitorimit dhe mjeteve praktike që forcojnë institucionet dhe sjellin rezultate për qytetarët", tha Kapetanoviq.
Duke folur për kontributin e RCC-së në fushën e punësimit dhe politikës sociale, Kapetanoviq theksoi rolin e Platformës për Punësim dhe Çështje Sociale (ESAP) në mbështetjen e partnerëve të Ballkanit Perëndimor përmes analizave rajonale, harmonizimit me standardet e BE-së dhe mekanizmave praktikë si vlerësimi krahasues i Shërbimeve Publike të Punësimit dhe Projektet e Ndihmës së Ndërsjellë për luftimin e punës së padeklaruar. Këto mekanizma u mundësojnë shërbimeve të punësimit, inspektorateve të punës, administratave tatimore dhe ministrive të krahasojnë performancën, të identifikojnë boshllëqet, të shkëmbejnë përvoja dhe të kalojnë nga zotimet politike në përmirësime konkrete dhe të matshme.
Konferenca shënoi gjithashtu prezantimin dhe nisjen zyrtare të Planit të Punës të Procesit të Berlinit për Punësim dhe Politikë Sociale, i cili synon forcimin e bashkëpunimit në fusha si mobiliteti i fuqisë punëtore, zhvillimi i aftësive, modernizimi i shërbimeve të punësimit dhe harmonizimi më i afërt me sistemet e Bashkimit Evropian.
Kapetanoviq tha më tej se rajonit nuk i mungojnë strategjitë apo zotimet, por zbatimi më i fuqishëm, shtrirja më e gjerë dhe qëndrueshmëria në veprim. "Askush tjetër nuk do të ndërtojë tregje pune të qëndrueshëm për Ballkanin Perëndimor përveç autoriteteve të rajonit, duke punuar së bashku dhe për të mirën e qytetarëve të tyre. RCC do të vazhdojë ta mbështesë këtë punë duke lidhur bashkëpunimin rajonal me proceset e Bashkimit Evropian dhe duke ndihmuar që zotimet të sjellin rezultate të dukshme dhe të matshme", përfundoi Kapetanoviq.
Foto: KDP