Kallas dhe Kos: Kosova mbajti zgjedhje të qeta dhe konkurruese, por duhet t'i zbatojë obligimet e marrëveshjeve me Beogradin pa vonesë dhe parakushte
- Bashkimi Evropian pret që Kosova t'i zbatojë obligimet e saj që dalin nga Marrëveshja për përpjekjet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe të gjitha marrëveshjet paraprake të Dialogut Prishtinë-Beograd, pa vonesa shtesë ose paragjykime, porositën përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kallas dhe eurokomisari për zgjerim Marta Kos në një deklaratë të përbashkët me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Bruksel, 12 shkurt 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian pret që Kosova t'i zbatojë obligimet e saj që dalin nga Marrëveshja për përpjekjet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe të gjitha marrëveshjet paraprake të Dialogut Prishtinë-Beograd, pa vonesa shtesë ose paragjykime, porositën përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kallas dhe eurokomisari për zgjerim Marta Kos në një deklaratë të përbashkët me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
"Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është mënyra e vetme që Kosova të arrijë progres në rrugën e saj evropiane. Nuk ka alternativa për dialogun me ndërmjetësim nga BE-ja", citohet në mesazh.
Kallas dhe Kos u bënë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të demonstrojnë bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal dhe të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.
"Të dielën populli i Kosovës ushtroi të drejtën e tyre demokratike duke votuar në zgjedhjet e rregullta parlamentare. Sipas njohurive preliminare, zgjedhjet ishin të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrje nga të gjitha komunitetet dhe u zbatua ligji i ri zgjedhor. Fushata ishte energjike. I gjithë procesi tregoi qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj parimeve demokratike", thuhet në mesazh.
Përfaqësueset e KE-së theksojnë gjithashtu se zgjedhjet janë monitoruar nga një Mision Monitorues i BE-së, i cili do të qëndrojë në Kosovë për të monitoruar procedurat paszgjedhore dhe për të dhënë rekomandime.
"Presim me padurim formimin e Parlamentit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet, në mënyrë që të mbështesim Kosovën në afrimin me BE-në dhe shfrytëzimin e plotë të mundësive të rëndësishme, si Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor", citojnë Kallas dhe Kos.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por deri më tani nuk ka pasur përparim në këtë plan, duke pasur parasysh se pesë shtete anëtare të BE-së – Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
"Komisioni mbetet në dispozicion të përgatisë një Opinion për aplikim për anëtarësim të Kosovës, sapo ta kërkojë Këshilli (i BE-së), shtojnë Kallas dhe Kos në mesazh. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s