"Ka ndihmë për jetë pa dhunë" - MPB zhvillon fushatë parandalimi për ngritjen e vetëdijes publike
- Me iniciativën e Sektorit për Çështje Policore me Kompetenca të Përgjithshme - Departamenti i Policisë së Uniformuar dhe në koordinim me Departamentet e Parandalimit, Departamentet e Policisë dhe Departamentet e Policisë Kriminalistike pranë Sektorëve të Punëve të Brendshme, nga muaji shkurt filluan aktivitetet të cilat gjatë muajit mars u zhvilluan në fushatë kushtuar grave, për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna gjinore dhe dhuna familjare, me moton "Ka ndihmë për jetë pa dhunë".
Shkup, 12 mars 2026 (MIA) - Me iniciativën e Sektorit për Çështje Policore me Kompetenca të Përgjithshme - Departamenti i Policisë së Uniformuar dhe në koordinim me Departamentet e Parandalimit, Departamentet e Policisë dhe Departamentet e Policisë Kriminalistike pranë Sektorëve të Punëve të Brendshme, nga muaji shkurt filluan aktivitetet të cilat gjatë muajit mars u zhvilluan në fushatë kushtuar grave, për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna gjinore dhe dhuna familjare, me moton "Ka ndihmë për jetë pa dhunë".

"Qëllimi i fushatës është të zhvillohen aktivitete parandaluese që kanë për synim informimin e qytetarëve për mekanizmat e denoncimit të dhunës, inkurajimin e reagimit në kohë dhe ndërhyrjes së hershme, mbrojtjen e kategorive të rrezikuara të qytetarëve, si dhe promovimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna gjinore dhe dhuna familjare", njoftojnë nga MPB-ja.
Në kuadër të fushatës, po zbatohen disa aktivitete parandaluese, duke përfshirë shpërndarjen e materialeve të shtypura informuese dhe edukative, vendosjen e posterave në vende publike dhe të frekuentuara, organizimin e forumeve publike dhe tryezave të rrumbullakëta me përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit lokal, si dhe zhvillimin e bisedave informuese me qytetarët me qëllim informimin e tyre rreth mënyrave të njohjes dhe denoncimit të dhunës, si dhe rreth mekanizmave mbrojtës.

"Duke zbatuar këto aktivitete, Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me qasje proaktive në parandalimin dhe shtypjen e dhunës gjinore dhe dhunës familjare, me theks të veçantë në mbrojtjen e viktimave, forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet dhe krijimin e një komuniteti më të sigurt dhe më të mbrojtur për të gjithë qytetarët", njoftuan nga MPB-ja. mb/
Foto: Faqja e FB të MPB-së