Joni Keta kreu i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit të Shqipërisë
- Këshilli i Lartë i Prokurorëve sot zgjodhi kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ose siç quhet ndryshe FBI-ja Shqiptare.
Tiranë, 9 dhjetor 2025 (MIA) - Këshilli i Lartë i Prokurorëve sot zgjodhi kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ose siç quhet ndryshe FBI-ja Shqiptare.
Për njeriun e parë të Byrosë unanimisht është zgjedhur Joni Keta (37), i cili do të drejtojë këtë institucion të rëndësishëm për pesë vitet e ardhshme.
Në seancën, e mbajtur me dyer të mbyllura, morën pjesë përfaqësues të SHBA-së, pjesë të misionit për të ndihmuar Zyrën e Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
"Me një karrierë në ngritje si nëpunës i policisë gjyqësore në ish-Departamentin e Krimeve të Rënda, më pas si hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit dhe zëvendësdrejtor për dy muajt e fundit, Keta kapërceu të gjitha pengesat në garën për drejtor të byrosë", raportuan mediat.
Emri i tij u përcaktua gjatë një takimi të komisionit përzgjedhës të përbërë nga tre prokurorë nga SPAK-u dhe, pasi u arrit marrëveshja, iu propozua për votim Këshillit të Lartë të Prokurorëve, i cili është institucioni i ngarkuar me ligj me emërimin dhe shpalljen e përfundimit të mandatit të drejtorit të byrosë.
Joni Keta 15 vite ka punuar në sistemin e drejtësisë si nëpunës në policinë gjyqësore dhe njihet për përvojën e tij në hetimet financiare dhe të krimit të organizuar.
Ai vjen në vendin e drejtoreshës së deritanishme, Aida Hajnaj, e cila erdhi nga funksioni i zëvendësdrejtoreshës së përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar.
Foto: Këshilli i Lartë i Prokurorëve