• сабота, 16 мај 2026

Janevska: Së shpejti do të dëgjojmë edhe një parregullsi tjetër, shumë më të madhe se kjo, e cila do të befasojë gjithë opinionin publik në Maqedoni

Janevska: Së shpejti do të dëgjojmë edhe një parregullsi tjetër, shumë më të madhe se kjo, e cila do të befasojë gjithë opinionin publik në Maqedoni

Shkup, 24 prill 2026 (MIA) - Shumë shpejt do të dëgjojmë edhe një parregullsi tjetër, shumë më të madhe se kjo, e cila do ta befasojë tërë opinionin publik në Maqedoni. Ka shumë parregullsi në disa institucione, jo në të gjitha, dhe për to do të veprohet sipas ligjit. Nëse ka qenë fajtore administrata apo udhëheqja, nëse disa studentë kanë marrë pjesë në këto veprime, do ta përcaktojnë organet përkatëse", deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, duke komentuar zhvillimet në Fakultetin Filozofik të UCM-së, ku nga viti 2019 në mënyrë të paligjshme janë regjistruar studentë në studime njëvjeçare master dhe doktoraturë, edhe pse studimet e tyre bazë kanë qenë trevjeçare profesionale, e jo akademike.

Bëhet fjalë për shtatë të regjistruar në studime master dhe katër në studime doktorature, dhe regjistrimet e tyre, me vendim të ISHA-s, janë anuluar dhe atyre u është ndërprerë studimi. Deri më tani, askush nuk ka doktoruar, ndërsa kanë magjistruar tetë persona, për të cilët ende nuk ka vendim nëse diplomat e tyre do të jenë të vlefshme.

Janevska tha se Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA), raportin e të cilit e ka marrë vonë mbrëmë, ka konstatuar se ku janë bërë lëshimet dhe në bazë të kësaj ka marrë edhe vendimet se si duhet të veprohet. Sipas saj, Inspektorati ka vepruar pas parashtresave dhe ankesave të individëve.

"Gjatë fundjavës do ta shqyrtojmë (raportin) dhe të hënën do të marrim tashmë vendim. Ministria dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk kanë zgjedhje, ata duhet të veprojnë sipas ligjit. E kuptoj plotësisht revoltën e studentëve, por ekzistojnë institucione të tjera ku ata mund t’i kërkojnë të drejtat e tyre. Ajo që është në kompetencë të MASH-it do të përfundojë nga e hëna. Çdo gjë tjetër në institucionet përkatëse, që të jetë edhe sipas ligjit edhe të plotësohet drejtësia. Ajo për të cilën unë si ministre dhe kjo Qeveri angazhohemi dhe e kemi thënë shumë herë është se do të punohet sipas ligjit. Ekziston ligj sipas të cilit studentët është dashur të regjistrohen në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve. Inspektorati Shtetëror i Arsimit thotë se ai ligj është shkelur. Më vjen shumë keq për atë që po u ndodh, por kur janë regjistruar në ciklin e dytë dhe të tretë, dikush është dashur t’u tregojë dhe ata vetë të kontrollojnë se ku po regjistrohen", deklaroi Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në laboratorin e ri të Fakultetit të Stomatologjisë në UCM.

Ajo theksoi se Agjencia për cilësi në arsimin e lartë, nga themelimi e deri para tetë muajsh, nuk ka kryer asnjë vlerësim, ndërsa gjatë tetë muajve të fundit janë bërë një numër i madh vlerësimesh me të cilat janë konstatuar parregullsi.

Rektorja e Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi" dhe kandidate për rizgjedhje, Biljana Angelova, deklaroi se pasi të përfundojë i gjithë procesi, do të publikojnë një qëndrim zyrtar për atë "cili është përfundimi i gjithë kësaj situate" në Fakultetin Filozofik në UCIM.

"Të gjithë jemi hasur në këtë gjendje. Ka ndodhur në periudhën midis viteve 2019 dhe 2022, në një mjedis krejt tjetër dhe me një udhëheqje tjetër. Mbetet të jemi të durueshëm dhe të presim raportin përfundimtar të inspektimit dhe të veprohet, dhe atëherë do të japim njoftim zyrtar për përfundimin e gjithë kësaj situate", tha Angelova.

Në pyetjen e gazetarëve se janë të prekur edhe studentë të cilët, me studime trevjeçare profesionale të përfunduara, janë regjistruar në studime njëvjeçare master gjatë dy-tre viteve të fundit, rektorja u përgjigj se duhet ta shohë raportin, në mënyrë që, siç tha ajo, të mos manipulohet me të dhënat për studentë të veçantë.

Biljana Angelova do të marrë pjesë në garën për një mandat të dytë si rektore e UCM-së Zgjedhjet do të mbahen të martën, më 28 prill, ndërsa kundërkandidat i saj është prof. Darko Danev nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Ajo nuk mori pjesë dje në prezantimin e dy kandidatëve për drejtues të UCM-së, të organizuar nga Sindikata e Pavarur Akademike (SPA). qa/

Foto: MIA

 

Остани поврзан