• петок, 13 март 2026

Inspektori i DMSH-së dëshmoi për "Puls": Kishte hidrant, por bosh dhe vetëm dy aparate kundër zjarrit, ndërsa dera ndihmëse ishte e kyçur

Inspektori i DMSH-së dëshmoi për

Shkup, 12 mars 2026 (MI) - Mungesa e aparateve bazë kundër zjarrit, hidrant bosh, dera ndihmëse e kyçur dhe mungesa e një sistemi për raportimin e zjarrit u konstatua nga ekipi inspektues i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) pas zjarrit në klubin "Puls" në Koçan. Këtë e theksoi një inspektor i DMSH-së nga dega rajonale në Vinicë, i cili sot dëshmoi në seancën gjyqësore, duke vënë në dukje se deri në momentin e fatkeqësisë, Komuna e Koçanit për më shumë se një dekadë nuk kishte punësuar inspektor për mbrojtje dhe shpëtim.

Në pyetjet e Prokurorisë nëse më parë ishin ndërmarrë veprime inspektuese në objekt, dëshmitari sqaroi se kompetencat e tij lidhen ekskluzivisht me territorin e komunës së Vinicës. Për mbikëqyrje të jashtëzakonshme në një komunë tjetër, siç theksoi, është i nevojshëm një urdhër me shkrim nga drejtori, zëvendësdrejtori ose inspektori i përgjithshëm. Ai theksoi se në Koçan për një kohë të gjatë kishte problem me stafin, për të cilin ishte informuar edhe udhëheqësia e Drejtorisë.

"Ish kolegu Blagoj Janev është në pension, i njejti u pensionua në vitin 2012 ose 2013. Që nga pensionimi i tij, në Koçan nuk ka pasur inspektor për mbrojtje dhe shpëtim… Deri në momentin e ngjarjes së zjarrit, në degën rajonale në Koçan, sa e di unë, nuk ka pasur të punësuar asnjë inspektor për mbrojtje dhe shpëtim", theksoi dëshmitari.

Pas zjarrit, ai u thirr të bëhej pjesë e ekipit inspektues së bashku me kolegë nga Probishtipi, Strumica dhe Berova. Duke dëshmuar për gjendjen e hasur në objektin e djegur, inspektori theksoi mangësi serioze në standardet bazë të sigurisë.

"Kjo është paksa e dhimbshme, çfarë nuk kishte në hyrje, megjithatë kur u futëm brenda kishte vetëm dy aparate kundër zjarrit, që është e pamjaftueshme, hidranti bosh, pa ujë, pa tub, pa sistem për njoftimin e zjarrit, dhe gjëja më e dhimbshme, dera e pasme e kyçur nga brenda nuk kishte dorezë, dhe për më tepër ishte e kyçur me dry, po flas për daljen ndihmëse. Kjo u vërejt pavarësisht se zjarrfikësit tashmë e kishin thyer për të mundësuar hyrjen", theksoi dëshmitari.

Për më tepër, inspektori i DMSH-së sqaroi se dera ndihmëse, e cila ndodhej nga ana e majtë e skenës, ishte shumë e ngushtë, pa dritë paniku dhe nga jashtë ishte vulosur me stiropor. Sipas deklaratës së tij, edhe pjesa e jashtme e objektit nuk mundësonte ndërhyrje të duhur të shërbimeve të shpëtimit.

"Është bërë një inspektim, dhe u vërejt se nga tualeti i femrave kishte grila hekuri nga jashtë, ndërsa te dalja e asaj dere të pasme kishte një sipërfaqe të gjelbër që ngjante si kodër dhe ishte e rrethuar me gardh, ku nuk mund të arrinte as ndihma e shpejtë, as zjarrfikësit", tha inspektori i DMSH-së. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан