• сабота, 16 мај 2026

Hoxha: Komuna e Tetovës do të ketë një njësi të veçantë për mbrojtjen e mjedisit, i ftoj komunat e tjera që ta ndjekin këtë shembull

Hoxha: Komuna e Tetovës do të ketë një njësi të veçantë për mbrojtjen e mjedisit, i ftoj komunat e tjera që ta ndjekin këtë shembull

Tetovë, 28 prill 2026 (MIA) - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, mori pjesë dhe u drejtua në forumin me temë "Identifikimi i prioriteteve ekologjike të Komunës së Tetovës". Në forum mori pjesë edhe Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Siç njoftoi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në forum u njoftua edhe një lajm i rëndësishëm në nivel lokal - Komuna e Tetovës do të jetë komuna e parë që do t'i qaset sistematikisht kësaj çështjeje duke krijuar një njësi të veçantë të dedikuar për mbrojtjen e mjedisit në kuadër të vetëqeverisjes lokale.

"Një shembull i tillë duhet të ndiqet edhe nga komunat e tjera, pasi politikat nacionale të cilat i harton Ministria zbatohen në nivel lokal dhe varen nga përkushtimi i vetëqeverisjes lokale. Vetëm përmes koordinimit ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal ato mund të funksionalizohen dhe të japin efekt", theksoi Hoxha në fjalim.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ministri Muamet Hoxha theksoi qartë se koha e zgjidhjeve të përkohshme ka përfunduar dhe se fokusi është vendosur në projekte afatgjata dhe të qëndrueshme.

"Tetova dhe rajoni i Tetovës janë përballur gjithmonë me sfida serioze ekologjike që zgjasin prej dekadash. Kjo është edhe arsyeja pse sot nuk do të paraqes para jush zgjidhje të përkohshme. Tetovës i duhet një sistem që i zgjidh problemet në mënyrë të qëndrueshme, por edhe i mirëmban zgjidhjet që të mos kthehemi vazhdimisht te të njëjtat shqetësime", potencoi ministri.

Si pjesë e hapave konkretë të ndërmarrë nga pushteti qendror, u theksua edhe krijimi i sistemit rajonal për menaxhimin e mbeturinave "Rusino", ndërtimi i të cilit fillon këtë vit. Gjithashtu, për këtë vit është paralajmëruar fillimi i ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe përmirësimi i sistemit të ujësjellësit të qytetit, ndërsa mbrojtja e Malit Sharr, po forcohet vazhdimisht.

Ngjarja mblodhi së bashku përfaqësues të pushtetit qendror, vetëqeverisjes lokale dhe sektorit të shoqërisë civile, dhe u organizua nga OJQ-ja "Multikultura" nga Tetova, me mbështetjen e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur - Ballkani Perëndimor. sa/

FOTO: Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor

Остани поврзан