• среда, 25 март 2026

Hegseti e porositi homologun Kac: Izraeli të "shkojë deri në fund" sepse e mbështet SHBA-ja

Hegseti e porositi homologun Kac: Izraeli të

Uashington/Tel Aviv, 5 mars 2026 (MIA) – Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset në bisedën e mbrëmshme me homologun e tij izraelit, Izrael Kac, e porositi që Izraeli të “shkojë deri në fund”, duke i thënë se SHBA-ja e mbështet Izraelin, njoftoi sot në mëngjes Ministria izraelite e Mbrojtjes. 

Kaci e falënderoi Hegsetin për ndihmën e madhe amerikane në mbrojtje të qytetarëve izraelitë nga kërcënimi iranian me raketa, bëhet e ditur në kumtesë. 

Ushtria izraelite njoftoi se sot ka filluar “valë e re e sulmeve me përmasa të mëdha ndaj infrastrukturës të regjimit terrorist iranian përgjatë gjithë Teheranit”. 

Agjencia iraniane Tasnim paraprakisht njoftoi për shpërthimet në Teheran, pa dhënë hollësi për pasojat potenciale. 

Sot në mëngjes shpërthime u dëgjuan edhe në Jerusalem. 

Irani sot qëlloi edhe një barazh raketash drejt Izraelit, njoftuan ushtria izraelite dhe mediat shtetërore iraniane, duke shkaktuar alarme në disa zona, duke përfshirë edhe Tel Avivin, por në to nuk ka viktima. 

Agjencia zyrtare libaneze ANI sot njoftoi se në një sulm izraelit ajror është vrarë lideri i Hamasit në Libanin verior, lideri i parë i grupit palestinez islamik i vrarë nga fillimi i ofensivës izraelito – amerikane kundër Iranit. 

Bejruti jugor, strehë e lëvizjes proiraniane Hezbollah, mbrëmë ishte cak i edhe një sulmi ajror. Para kësaj, armata izraelite ju bëri thirrje banorëve të Libanit të evakuohen nga periferitë e Bejrutit. 

IDF në Telegram njoftoi se “ka filluar ta sulmojë infrastrukturën e Hezbollahut në Bejrut”. 

Irani sot ka hedhur raketa drejt selisë së forcave kurde në rajonin autonom Kurdistan në Irak, ku janë stacionuar ushtarë amerikanë. 

“Me tri raketa i qëlluam selinë e grupeve kurde të cilat po kundërshtojnë revolucionin në Kurdistanin irakian”, theksohet në kumtesën e ushtrisë të cituar nga agjencia IRNA. 

Sulmet, në të cilat është vrarë anëtar i grupit të dëbuar iranian kurd, vijuan pas paralajmërimit nga autoritetet iraniane. 

“Grupet separatiste nuk duhet të mendojnë se ka fryrë erë e re dhe të bëjnë përpjekje të veprojnë”, paralajmëroi Ali Larixhani, shef i Këshillit Suprem për Siguri Kombëtare të Iranit. fc/

Foto: EPA

Остани поврзан