• сабота, 16 мај 2026

Gjykimi për rastin "Pulls": Një inspektore ka konfirmuar ndërmarrje të re, por nuk ka bërë inspektim të ri për shkak se "nuk ka pasur ndikim ndaj mjedisit të jetesës"

Gjykimi për rastin

Shkup, 9 prill 2026 (MIA) - Në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në diskotekën "Pulls" në Koçan dëshmoi inspektorja për mjedis të jetesës në Komunën e Koçanit, e cila theksoi se në vitin 2022 ka konfirmuar se objekti punon nën emër tjetër juridik, por nuk ka kryer inspektim të përsëritur pasi ka vlerëuar se bëhet fjalë për subjekte që nuk kanë ndikim ndaj mjedisit të jetesës.

Dëshmitarja para gjykatës sqaroi se plani i saj vjetor për inspektim për vitin 2022 e ka përfshirë kafe-barin "Klasik", me ç'rast ka kuptuar se ekziston edhe kabare "Pulls". Pas inspektimit të kryer të rregullt, ajo ka konstatuar se subjekti i parë juridik tanimë nuk ekziston.

"Subjekti juridik 'Klasik DM' SHPK, të cilit iu miratua elaborati, nuk ka punuar, ka qenë jonfunksional, respektvisht i mbyllur", tha dëshmitarja.

Në pyetje të mbrojtjes nëse, kur ka konfirmuar se këto dy objekte afariste funksiononin nën një person tjetër juridik, me një emër tjetër, ajo u kthye për të kryer inspektim tjetër, duke marrë parasysh se ka elaborat të miratuar për mjedis të jetesës, inspektorja u përgjigj negativisht.

"Këto janë subjekte që nuk kanë ndikim në mjedis, prandaj nuk shkova përsëri", tha inspektorja e mjedisit të jetesës.

Paraprakisht në seancën e sotme dëgjimore, të mbijetuarit e tragjedisë së Koçanit dëshmuan para gjykatës, duke treguar se zjarri në kabarenë "Pulls" u përhap për 30 sekonda dhe duke shkaktuar kaos të përgjithshëm dhe rrëmujë drejt daljes së vetme. Dëshmitarët theksuan para gjykatës atë që dëshmitarë të tjerë në procedurë kanë treguar më parë, përkatësisht se zjarri filloi pas aktivizimit të pajisjeve piroteknike, pas çka ndodhi rrëmuja drejt daljes së vetme të hapur.

Gjykimi për zjarrin në diskotekën "Pulls", i cili shpërtheu më 16 mars 2025 dhe në të cilin humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan, është në fazën e procedurës dëshmuese. Gjykimin po e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievski, ndërsa prokuroria përfaqësohet nga ekip prej 15 prokurorë publikë. bsh/

Foto: MIA arkiv

Остани поврзан