Gjykata Kushtetuese solli vendim për anulimin e Ligjit për tatimin e solidaritetit
- Gjykata Kushtetuese solli vendim për anulimin e Ligjit për tatimin e solidaritetit. Kjo do të thotë se shteti duhet të kthejë rreth 49,2 milionë euro për 156 kompani.
Shkup, 5 shkurt 2025 (MIA) - Gjykata Kushtetuese solli vendim për anulimin e Ligjit për tatimin e solidaritetit. Kjo do të thotë se shteti duhet të kthejë rreth 49,2 milionë euro për 156 kompani.
Procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar Gjykata Kushtetuese e ka ngritur më 20 nëntor të vitit të kaluar me bashkimin e disa lëndëve, ndërsa në seancën e sotme u miratua vendimi përfundimtar.
Tatimi i solidaritetit ishte vendosur si i njëfishtë, dhënie publike e jashtëzakonshme për vitin 2023. Këtë tatim e kanë paguar kompanitë të cilat në vitin 2022 kanë realizuar të ardhura të përgjithshme më të mëdha se 615 milionë denarë (rreth 10 milionë euro). Qëllimi ishte të mblidhen mjete për zbutjen e pasojave nga kriza dhe të kontribuohet për shpenzimet publike në mënyrë solidare.
Dorëzues të nismave janë Finmak SHPK, Shkup (U.nr. 179/2023), Oda Ekonomike e Republikës së Maqedonisë së Veriut (U.nr. 183/2023), DTU ETMT ENERXHI SHPKNJP Shkup (U.NR. 187/2023). Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore Shkup (U.NR. 190/2023) dhe Shoqata për konsultime Lanski, Ganzger, Zeqiri + Partner SHPK (U. NR. 197/2023).
Gjykata në nëntor të vitit të kaluar, shprehu dyshim se Ligji i kontestuar shkel vlerën themelore të sundimit të ligjit të rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 alinea 3 e Kushtetutës dhe parimet themelore mbi të cilat bazohet, siç është siguria juridike e subjekteve në pozitën e tyre juridike, parashikueshmëria juridike dhe siguria juridike në pritjet legjitime të subjekteve në drejtësi.
Në debat gjyqtarët kushtetues shprehën dyshim se bëhet fjalë për një Ligj i cili është me fuqi prapaveprues, që është në kundërshtim me nenin 52 të Kushtetutës.
Gjykata ka marrë parasysh faktin se retroaktiviteti dhe përjashtimi i tij lejohet vetëm kur bëhet fjalë për procedura rrjedhëse, por në këtë rast subjektet në fjalë i kanë përfunduar marrëdhëniet me pagesën e tatimit në vitin 2022. Gjykata në këtë fazë vlerëson se me miratimin e llojit të tillë të tatimit, kompanitë janë vënë në një pozitë të pabarabartë dhe se Ligjvënësi ka cenuar të drejtën e garantuar të pronësisë, si dhe ka cenuar lirinë e tregut dhe sipërmarrësisë.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në janar të këtij viti tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen, por zbatohen edhe nëse Gjykata sjell vendim të kthehen 50-të milionë euro nga tatimi i solidaritetit do të kthehen.
"Po kthejmë shumë gjëra që kanë detyruar të mëparshmit. E kam thënë shumë herë që nuk do të komentoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nëse ata marrin një vendim të tillë, ne duhet t'i kthejmë ato para, nuk mund të bëjmë asgjë, do të shkurtojmë diçka tjetër dhe do të rimbursojmë. Do të shqyrtojmë edhe mundësinë e përgjegjësisë penale për ata që kanë marrë vendim për drejtimin e ekonomisë në këtë mënyrë, sepse de fakto është dëmtuar buxheti, madje nesër mund të na kërkojnë edhe kamatë nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim të tillë", tha Mickoski në pyetjen e gazetarit pas inspektimit të aktiviteteve ndërtimore në rrugën Katllanovë-Gradmanci në komunën e Petrovecit.
Ai theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendimtare dhe nuk mund të komentohen dhe shtoi se bëhet fjalë për para të cilat u takojnë të gjithë qytetarëve, ndërsa Qeveria vetëm menaxhon me to. sa/
Foto: MIA