• петок, 20 декември 2024

Gjykata Administrative mban debat publik për padinë e Frontit Evropian për rivotimin në Llërcë

Gjykata Administrative mban debat publik  për padinë e Frontit Evropian për rivotimin në Llërcë

Shkup, 29 maj 2024 (MIA) - Sonte në Gjykatën Administrative është mbajtur debat publik për rastin e formuar pas padisë së Koalicionit të Frontit Evropian për Zgjedhjet Parlamentare 2024, kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të RMV-së për rivotim në vendvotimin 2101 në fshatin Llërcë të komunës së Zhelinës.

Gjykata Administrative pritet të marrë vendim për këtë rast dy orë pas përfundimit të debatit publik.

Gjykata Administrative njoftoi sot opinionin publik se më 28 maj 2024, pas padisë së Koalicionit FRONTI EVROPIAN për Zgjedhjet Parlamentare 2024 kundër Vendimit UP1 nr. 10-33, nga 27.05.2024, të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të RMV,  është formuar lënda URP nr. 95/24.

"Duke pasur parasysh afatet e veprimit dhe vendimmarrjes, Gjykata Administrative ndërmerr me urgjencë të gjitha veprimet procedurale në përputhje me Kodin Zgjedhor", thuhet në një njoftim në faqen e internetit të Gjykatës Administrative.

KSHZ pardje në një seancë nuk e pranoi ankesën e Frontit Evropian për rivotimin në Llërcë, ku pas rivotimit, Fronti Evropian humbi një deputet në raport me rezultatet e 8 majit dhe koalicioni "Vlen" fitoi një deputet.

Sipas rezultateve fillestare pas rivotimit në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6 në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, Koalicioni "Maqedonia juaj" e udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbetet me 58 deputetë, Koalicioni "Fronti Evropian" i udhëhequr nga BDI ka humbur një deputet dhe ka 18, njejtë  si Koalicioni për Ardhmërinë Evropiane i udhëhequr nga LSDM. Koalicioni "Vlen" pas rivotimit fitoi një deputet më shumë dhe tani ka 14, ndërsa Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe e Majta mbeten me nga gjashtë deputetë. sa/

 

 

Остани поврзан