• петок, 21 февруари 2025

Gjermania regjistron rritje të azilkërkuesve në janar

Gjermania regjistron rritje të azilkërkuesve në janar

Berlin, 7 shkurt 2025 (MIA) - Numri i personave që kanë aplikuar për azil në Gjermani është rritur në janar në krahasim me muajin e kaluar, por mbetet larg nën nivelin e regjistruar një vit më parë, sipas të dhënave të fundit nga Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF), njofton DPA.

Edhe pas rënies së Bashar al-Asadit, Siria mbetet vendi kryesor i origjinës për njerëzit që aplikojnë për azil në Gjermani, me 30.4 për qind të të gjitha kërkesave të reja për azil, thotë agjencia gjermane.

Në përgjithësi, numri i personave që për herë të parë kërkojnë azil në janar është rritur për 22,5 për qind në krahasim me dhjetorin, duke arritur në 14,920. Por, ky numër mbetet më i ulët se numri i personave që kërkuan për herë të parë azil në janar të vitit 2024, kur aplikuan 26,376 persona.

Pas Sirisë pason Afganistani (me 13 për qind) dhe Turqia (me 11,2 për qind) si vende me prejardhje të më shumë azilkërkuesve të cilët sollën kërkesa të reja në Gjermani, raporton DPA. 

Shumë nga aplikimet e paraqitura për qytetarët sirianë kanë të bëjnë me fëmijë të lindur në Gjermani, thekson agjencia.

Gjermania më 9 dhjetor pezulloi të gjitha vendimet për rastet e azilit nga Siria pas vendimit të Al-Asadit për t'u larguar nga vendi për shkak të ofensivës së forcave islamike kundër regjimit.

Autoritetet gjermane e shpjeguan këtë pezullim duke thënë se duhet kohë për të vlerësuar situatën e re në Siri e cila do të ndikojë në rastet e njerëzve që kërkojnë mbrojtje nga rreziqet atje, kujton DPA. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан