Gashi: Zgjerimi duhet të mbetet proces i bazuar në meritë, por të mos pengohet nga kalkulimet afatshkurtra politike
- - Zgjerimi duhet të mbetet proces i bazuar në merita, por jo i penguar nga kalkulime afatshkurtra politike. Sepse nëse standardet janë të njëjta, atëherë edhe trajtimi duhet të jetë i tillë, theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në konferencën ndërkombëtare "Ballkani Perëndimor në vorbullën e gjeopolitikës së re të sigurisë", në kuadër të "Takimit të III Ndërkombëtar të Miqve të Ballkanit Perëndimor", organizuar nga Nizami Ganjavi International Center.
Shkup, 28 prill 2026 (MIA) - Zgjerimi duhet të mbetet proces i bazuar në merita, por jo i penguar nga kalkulime afatshkurtra politike. Sepse nëse standardet janë të njëjta, atëherë edhe trajtimi duhet të jetë i tillë, theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në konferencën ndërkombëtare "Ballkani Perëndimor në vorbullën e gjeopolitikës së re të sigurisë", në kuadër të "Takimit të III Ndërkombëtar të Miqve të Ballkanit Perëndimor", organizuar nga Nizami Ganjavi International Center.
"Le të jemi të sinqertë se vendet e Ballkanit Perëndimor sot janë në shumë aspekte më të përgatitura sesa disa vende që u anëtarësuan në valët e mëparshme të zgjerimit. Ky realitet meriton të njihet në vendimarrje politike dhe të reflektohet në një qasje më të drejtë. Në këtë rast, Ballkani Perëndimor nuk është një periferi që duhet lënë në pritje, por është një pjesë e Europës që kërkon të plotësojë vetveten", tha Gashi.
Ai beson se një qasje më e guximshme do të ishte integrimi i menjëhershëm i të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si një paketë e përbashkët.
"Sa më shpejt të bëhemi pjesë e BE-së, aq më shpejt do të konsolidohen standardet demokratike, do të forcohet sundimi i ligjit dhe do të zgjidhen çështjet dypalëshe që aktualisht pengojnë progresin. Historia e vetë vendeve evropiane ka treguar se integrimi është instrumenti më efektiv për pajtim dhe stabilitet", tha Gashi.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit e theksoi rëndësinë strategjike të zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe angazhimin e vendit tonë për të çuar përpara agjendën e reformave dhe integrimin euroatlantik.
Ai potencoi se në një kohë kur kontinenti ynë gjendet përballë sfidave të ndëlikuara gjeopolitike, diskutimi për zgjerimin e Bashkimit Evropian shkon përtej një çështje e të ardhmes europiane. Sot, më shumë se kurrë, zgjerimi përfaqëson një provë të karakterit politik të Evropës.
"Republika e Maqedonisë së Veriut, që nga pavarësia në vitin 1991, ka përcaktuar qartë orientimin stretegjik drejt integrimit euroatlantik. Ky objektiv politik, nuk ka qenë një zgjedhje e rastësishme, por është gdhendur thellë në themelet e shtetësisë sonë. I njejti si konsensus i gjërë shoqëror e insitucional, i ka mbijetuar ndryshimeve politike, sfidave të brendshme dhe pengesave të jashtme, duke mbetur gjithmonë busulla jonë strategjike dhe shprehje e aspiratës sonë qytetare", tha Gashi.
Megjithatë, shtoi ai, rruga jonë në këtë drejtim nuk ka qenë lineare dhe ishte e është shoqëruar nga sprova që shpesh kanë tejkaluar vetë logjikën dhe kriteret e procesit të anëtarësimit.
"Siç e dini, çështjet bilaterale kanë lënë gjurmë të thella në ritmin e integrimit tonë. Dhe megjithatë, ne kemi zgjedhur dialogun përballë përplasjes dhe kompromisin përballë stagnimit", tha ai.

Përtej sfidave, theksoi kryetari i Kuvendit, kemi dëshmuar vullnet politik dhe guxim të rrallë për të zgjidhur mosmarrëveshje të vështira, përfshirë kompromisin historik me Greqinë përmes Marrëveshjes së Prespës, si dhe përpjekjet aktuale për tejkalimin e sfidave me Bullgarinë.
"Kompromisi i madh me ndryshimin e emrit të shtetit, ishte një akt i përgjegjësisë dhe pjekurisë politike. Ishte moment i rrallë kur politika i dha përparësi të ardhmes mbi të kaluarën. Ai akt, duhej të shërbente si model për rajonin, si dëshmi se dialogu dhe pjekuria politike mund të zgjidhin edhe çështjet më të ndërlikuara. Por nëse këto përpjekje nuk shpërblehen me progres konkret në integrim, apo me një përgjigje të drejtë, atëherë lind një pyetje legjitime: çfarë mesazhi po u dërgojmë vendeve të tjera të rajonit? A po shpërblehet vërtetë guximi politik?", potencoi Gashi.
Kryetari i Kuvendit, në fjalimin e tij tha se sot përballemi me një sfidë të dyfishtë: nga njëra anë, lodhja nga zgjerimi brenda Bashkimit Europian, dhe nga ana tjetër, lodhja nga ngecja në vendet kandidate.
"Ky hendek i besueshmërisë rrezikon të krijojë një “dhomë pritjeje të përhershme”, e cila jo vetëm që dekurajon reformat, por edhe cenon besimin e qytetarëve në projektin europian", theksoi ai.
Në këtë kontekst, theksoi, është e "rëndësishme të jemi të sinqertë në dy çështje: A e do vërtetë BE-ja zgjerimin? Si dhe, sa është vullneti real i shteteve anëtare për zgjerim?".
"Ndoshta përtej deklarimeve, është koha për të bërë pyetje më të drejtpërdrejta. Jo vetëm sa kanë avancuar vendet kandidate në proces, por edhe sa është në gjendje të përballojë BE-ja në gatishmërinë për t’i pranuar ato?. Sepse zgjerimi, në thelb, është një kontratë besimi që kërkon përgjegjësi dhe guxim nga të dyja palët", tha ai.
Sipas tij, dimensioni gjeopolitik i zgjerimit është bërë i pamohueshëm.
"Në një botë ku ndikimi i aktorëve të mëdhenj globalë është në rritje, Ballkani Perëndimor nuk mund të mbetet një hapësirë gri. Stabiliteti, siguria dhe prosperiteti i Evropës janë të lidhura drejtpërdrejt me integrimin e plotë të këtij rajoni", tha Gashi.
Është e vërtetë, thotë kryetari i Kuvendit, se sfidat tona si vende kandidate janë reale dhe të njohura mirë: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, pavarësia e institucioneve, liria e mediave.
"Por është po aq e vërtetë se këto reforma nuk mund të mbijetojnë në një boshllëk shprese. Reformat kanë nevojë për besueshmëri, dhe besueshmëria ndërtohet kur puna dhe përpjekja shpërblehen", tha Gashi.

Siç bëri të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, ngjarja po zhvillohet në prani të personaliteteve të shquara politike dhe institucionale nga Europa, rajoni dhe më gjerë, përfshirë ish-krerë shtetesh, përfaqësues të lartë të BE-së, si dhe të dërguar specialë për Ballkanin Perëndimor. fc/
Foto: Kuvendi