• сабота, 16 мај 2026

Gashi nga Kopenhaga: Angazhimi ynë për anëtarësim në BE mbetet i fortë, ne kërkojmë proces progresi të drejtë, të parashikueshëm dhe të bazuar në merita

Gashi nga Kopenhaga: Angazhimi ynë për anëtarësim në BE mbetet i fortë, ne kërkojmë proces progresi të drejtë, të parashikueshëm dhe të bazuar në merita

Shkup, 4 maj 2026 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mbajti fjalim në ditën e parë të Konferencës së kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare dhe vendeve kandidate të BE-së që do të mbahet në Kopenhagë, në temën "Evropa në rendin botëror në ndryshim: siguria, zgjerimi dhe roli i bashkëpunimit parlamentar".

Në hyrje të temës, siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, u theksua se zgjerimi i BE-së është edhe domosdoshmëri strategjike edhe qëllim politik, që kërkon që vendet kandidate të përmbushin standarde të rrepta për të siguruar stabilitet, demokraci dhe besueshmëri. Gjithashtu u theksua se, ndonëse zgjerimi i anëtarësimit e forcon ndikimin e BE-së, ai gjithashtu e ndërlikon miratimin e vendimeve, duke e bërë integrimin gradual dhe reformat e mundshme të votimit të domosdoshme për të ruajtur efikasitetin dhe legjitimitetin demokratik.

Gashi theksoi në fjalimin e tij se procesi i anëtarësimit në BE është kompleks dhe afatgjatë dhe kërkon ndryshime në shoqëri.

"Siç është theksuar shumë herë deri më tani, zgjerimi mbetet një nga sukseset më të mëdha të BE-së - një investim i fuqishëm në paqe, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë kontinentin tonë. Është treguar se Evropa bëhet më e fortë kur i hap dyert e veta për kombet që janë të gatshme t'i pranojnë standardet e saj. Megjithatë, procesi i hyrjes në BE është kompleks dhe i gjatë dhe kërkon ndryshime serioze dhe të përhershme në shoqëri. Në veçanti, janë të domosdoshme reformat themelore në administratën publike, sistemin gjyqësor dhe ekonominë. Ne i pranojmë këto sfida jo sepse na janë imponuar, por sepse janë me rëndësi thelbësore për qytetarët tanë dhe të ardhmen tonë. Megjithatë, vitet e anulimeve, ndryshimi i kritereve dhe rritja e skepticizmit brenda BE-së kanë shkaktuar lodhje dhe frustrim, gjë që vë në pikëpyetje besimin që nxit përpjekjet tona", ka potencuar spikeri i Kuvendit.

Theksoi se përkushtimi ynë mbetet i fortë. Kërkojmë një proces të progresit që është i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita.

Gashi theksoi se parlamentet e shteteve anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian luajnë një rol kyç dhe të domosdoshëm në procesin e zgjerimit.

"Përmes bashkëpunimit ndërparlamentar aktiv, ndarjes së ekspertizës dhe ndërtimit të besimit, parlamentet tuaja na ofrojnë mbështetje vitale dhe praktike, vendet kandidate. Ju konsiderojmë partnerë esencialë në udhëtimin tonë drejt aderimit në BE, sepse e mbështesni në mënyrë aktive miratimin e rregullave të BE-së dhe forcimin e institucioneve tona demokratike. Si trupa pranë qytetarëve, parlamentet tuaja nacionale, kolegë të nderuar, janë gjithashtu vendimtare në formësimin e mendimit publik në favor të zgjerimit. Ju mund t'i kundërviheni në mënyrë efikase skepticizmit dhe lodhjes nga zgjerimi duke sugjeruar se ai sjell siguri dhe prosperitet më të madh. Dhe më e rëndësishmja, fuqia sovrane e parlamenteve tuaja për t'i ratifikuar marrëveshjet e aderimit e bën zgjerimin një realitet konkret", ka thënë ai.

Gashi i ka përshëndetur reformat e brendshme të BE-së. Megjithatë, ato nuk duhet të bëhen arsye për anulimin e zgjerimit, përkatësisht reformat e brendshme dhe zgjerimi duhet të përparojnë së bashku, krah më krah. 

Shprehu shpresën se BE-ja do t'u përgjigjet rrethanave të reja gjeostrategjike me vizion dhe vendosmëri, duke e bërë zgjerimin e mëtejshëm një gur themel të së ardhmes së saj. fc/

Foto: Kuvendi

Остани поврзан