Fëmijët e bibliotekës "Linkest" nga Manastiri në takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama
- Ambasadori i Shqipërisë në vend, Denion Mejdani, organizoi një takim të veçantë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fëmijët nga biblioteka "Linkest" në Manastir.
Dibër, 6 mars 2026 (MIA) - Ambasadori i Shqipërisë në vend, Denion Mejdani, organizoi një takim të veçantë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fëmijët nga biblioteka "Linkest" në Manastir.
"Takimi u zhvillua në kuadër të promovimit të gjuhës dhe kulturës shqipe jashtë vendit. Fëmijët patën mundësinë të ndanin përvojat e tyre dhe të flisnin për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe dhe leximin e librave në gjuhën shqipe", raportuan mediat shqiptare.
Në takim, Mejdani theksoi "rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si një element thelbësor i identitetit kombëtar".
"Çdo fjalë e mësuar, çdo libër i lexuar në shqip është një urë lidhëse brezash dhe provë se fëmijët e Shqipërisë, kudo që janë, e mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën e tyre. Aty ku ruhet gjuha shqipe, ruhet edhe shpirti i kombit", theksoi ai.
Ky aktivitet, shtojnë mediat, nxjerr në pah përpjekjet për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore shqiptare, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të mësojnë rreth historisë, librave dhe identitetit të tyre kombëtar, madje edhe jashtë Shqipërisë.
Ata theksojnë se me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Shkup, libri dhe gjuha shqipe vazhdojnë të lidhin shqiptarët kudo që janë. sa/
Foto: Mejdani FB