FSSH: Personat me aftësi të kufizuara do ta realizojnë të drejtën për përjashtim nga pagesa e pjesëmarrjes përmes sistemit "Sigurimi Im"
- Fondi për Sigurime Shëndetësore kumtoi se, në koordinim me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, është vendosur një zgjidhje kalimtare për regjistrimin e të drejtës për përjashtim nga pagesa e pjesëmarrjes për personat me aftësi të kufizuara, me qëllim sigurimin e realizimit të papenguar të të drejtave të tyre nga sigurimi shëndetësor.
Shkup, 13 mars 2026 (MIA) - Fondi për Sigurime Shëndetësore kumtoi se, në koordinim me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, është vendosur një zgjidhje kalimtare për regjistrimin e të drejtës për përjashtim nga pagesa e pjesëmarrjes për personat me aftësi të kufizuara, me qëllim sigurimin e realizimit të papenguar të të drejtave të tyre nga sigurimi shëndetësor.
Në përputhje me sistemin e vendosur, siç potencojnë nga Fondi, të dhënat për personat me aftësi të kufizuara të cilat janë të përjashtuar nga pagesa e pjesëmarrjes duhet të dërgohen elektronikisht nga sistemi i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe të regjistrohen automatikisht në sistemin elektronik të Fondit.
Megjithatë, për shkak të pamundësisë teknike aktuale që këto të dhëna të dërgohen elektronikisht nga sistemi i Ministrisë te sistemi i Fondit, edhe pse sistemi i Fondit është plotësisht i përgatitur për t’i pranuar ato, në koordinim ndërinstitucional është vendosur një zgjidhje kalimtare administrative, me qëllim që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të mos vihen në pikëpyetje. Në këtë kuadër, personat me aftësi të kufizuara do të marrin një vendim për përjashtim nga pagesa e pjesëmarrjes, i cili do të lëshohet nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ose nga qendrat përkatëse për punë sociale, në të cilin do të përmendet baza ligjore e përjashtimit, informojnë nga Fondi.
Vendimi i lëshuar nga qendrat përkatëse për punë sociale, i siguruari e dorëzon te shërbimi rajonal i Fondit të Sigurimit Shëndetësor sipas vendbanimit të tij, pra në një nga shërbimet rajonale të Fondit, pas së cilës zyrtarët e autorizuar e regjistrojnë menjëherë të dhënën në sistemin elektronik të Fondit.
Me futjen e të dhënës, përjashtimi nga pagesa e pjesëmarrjes bëhet automatikisht i dukshëm në sistemin elektronik "Sigurimi Im", të cilit kanë qasje të gjitha institucionet publike dhe private shëndetësore dhe farmacitë. Regjistrimi në sistemin "Sigurimi Im" përbën bazinë zyrtare për veprim të institucioneve shëndetësore dhe farmacive, të cilat kanë akses të plotë në sistem dhe janë të detyruara të veprojnë sipas regjistrimit elektronik.
Kjo zgjidhje kalimtare do të mbetet në fuqi derisa Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë të jetë në gjendje të dërgojë të dhënat për personat me aftësi të kufizuara elektronikisht te sistemi i Fondit, në mënyrë që ato të regjistrohen automatikisht në sistemin "Sigurimi Im", theksojnë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Ata shtojnë se mbeten të përkushtuar për përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe për sigurimin e realizimit të papenguar dhe me dinjitet të të drejtave të të gjithë personave të siguruar. rq/
Foto: arkivi i MIA-s