Forum i Biznesit Maqedoni e Veriut - Shqipëri: Lidhje më e mirë dhe heqje e doganave për rritje të tregtisë dhe shkëmbimit
- – Të rritet shkëmbimi prej 207 milionë në një miliard euro, të hapen korridore për të gjitha vendet që nuk kanë det, të hiqen barrierat doganore, ndërsa Durrësi të bëhet alternativë për portin e Selanikut, porositën biznesmenët nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në forumin e sotëm të biznesit “Përtej kufijve”, që po mbahet në Shkup.
Shkup, 12 maj 2026 (MIA) – Të rritet shkëmbimi prej 207 milionë në një miliard euro, të hapen korridore për të gjitha vendet që nuk kanë det, të hiqen barrierat doganore, ndërsa Durrësi të bëhet alternativë për portin e Selanikut, porositën biznesmenët nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në forumin e sotëm të biznesit “Përtej kufijve”, që po mbahet në Shkup.
Ata folën për nevojën për lidhje më të mirë, infrastrukturë më të mirë dhe paraqitje të përbashkët në tregjet e treta.
“Bashkëpunimi ekonomik është i mirë, por mund të jetë shumë më i mirë. Duke marrë parasysh lidhjen midis dy vendeve, shifrat janë të pakënaqshme. Vitin e kaluar, shkëmbimi arriti në 180 milionë euro, ose rritje prej 40 milionë eurosh krahasuar me vitin 2020. Në tremujorin e parë të vitit 2026, shkëmbimi është 38 milionë euro. Kjo është mirë, por duke marrë parasysh lidhjen midis dy vendeve, atëherë këto shifra janë të pakënaqshme dhe duhet të jenë shumë, shumë më të larta. Është e çuditshme se si arrijmë të tregtojmë me Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, dhe jo me njëra-tjetrën, në rajon. Mendoj se kjo është një sfidë serioze”, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Sipas tij, përveç lidhjes më të mirë dhe infrastrukturës më të mirë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë i nevojitet edhe ndryshim i mentalitetit.

Ambasadori shqiptar në vend, Denion Mejdani, tha se sfidë kyçe për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është t’i fuqizojnë lidhjet dhe ta intensifikojnë bashkëpunimin.
“Korridori 8 është projekt strategjik, i cili i vendos vendet tona në arkitekturën evropiane të transportit. Rruga drejt prosperitetit është më shumë besim, më shumë investime, energji, projekte të përbashkëta... Shqipëria e sheh Maqedoninë si një partner natyror. Është çështje zgjedhjeje nëse do të mbetemi në periferi apo do të jemi pjesë e trendeve moderne dhe do të ndërtojmë një fqinjësi të mirë”, theksoi ambasadori.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike, Branko Azeski, kriminelët më shumë se biznesmenët i shfrytëzojnë “përparësitë” për bashkëpunim më të madh.
“Turp që biznesmenët, kriminelët janë përpara nesh. Le të bashkohemi, të mbyllim vrimat dhe të shfrytëzojmë potencialin për të forcuar bashkëpunimin, për të rritur tregtinë dhe shkëmbimin”, theksoi Azeski.
Investimet, lidhja dhe turizmi, janë në fokus të forumit të cilin e organizon Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë. Janë paralajmëruar tre panele në këto tema, ndërsa marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, investitorë dhe liderë afaristë nga të dyja vendet.
Siç u tha, forumi i ardhshëm pritet të jetë në Tiranë. fc/
Foto: MIA